Të premten në mesnatë përmbyllet fushata elektorale në Maqedoni dhe fillon heshtja parazgjedhore 24-orëshe. Partitë politike sonte zhvillojnë tubimet e fundit me qytetarët.

Zgjedhjet do të mbahen të dielën më 5 qershor, ndërsa të shtunën do të votojnë ushtarët, personat e sëmurë dhe të burgosur. Për herë të parë zgjedhje do të organizohen edhe në diasporë.

Politikanët kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërsa kanë ftuar qytetarët të dalin në zgjedhje.

“Fushata përfundoi dhe deri te ju arriti oferta e BDI-së dhe e oponentëve tanë. Ne jemi mëse të bindur se ju do të merrni vendimin e drejtë. E unë ju ftoj që këtë vendim të dielën ta shprehni në mënyrë të lirshme, të përgjegjshme dhe të qetë. Të dëshmojmë një nivel të lartë të vetëdijes demokratike”, tha para elektoratit kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Sinqerisht ju thërras, për një angazhim të jashtëzakonshëm. Motra dhe vëllezër, në këto momente një votë është e rëndësishme sa 100 mijë. Ne kërkojmë ta legjitimojmë platformën tonë dhe vullnetin politik. Janë mbi 700 vendvotime, shqiptarë nëse ikin nga 12-13 vota bëhen 10 mijë. Ndaj ju lus, angazhohuni maksimalisht”, deklaroi në mitingun e tij kryetari i PDSH-së, Menduh Thaci.

Në garë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë 18 lista me gjithsej 1 mijë e 679 kandidatë për deputetë. Të premten Komisioni për lustrim ka shpallur dy kandidatë për deputetë si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.

Ndëkohë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare kanë bërë thirrje që zgjedhjet e 5 qershorit të jenë të lira dhe të përmbushin të gjitha standartet demokratike.

Top Channel