Kuvendi: ERE të monitorojë abuzimet e ÇEZ me faturat

03/06/2011 08:25

Komisioni parlamentar i veprimtarive prodhuese ka dorëzuar në Kuvend dokumentin që përmban të gjitha vlerësimet mbi aktivitetin e kryer nga Enti Rregullator i Energjisë në vitin 2010.

Deputetët kanë hartuar një dokument ku vlerëson në tërësi punën e kryer nga ERE, pavarësisht vështirësive të hasura në vitin e kaluar, sidomos në raport me kompaninë ÇEZ.

“Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, duke njohur që koeficienti vjetor i efektivitetit për sistemin e shpërndarjes vazhdon të mbetet shumë i ulët, konstaton se ERE në vitin 2010 ka trajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, me paanshmëri dhe brenda afateve ligjore, ankesat e konsumatorëve, duke marrë vendimet përkatëse për shmangien e abuzimeve dhe të arbitraritetit të vërejtur në shumë raste në procedurën e ndjekur nga ÇEZ Shpërndarje sh.a. për aplikimin e faturave për ‘dëmin ekonomik’ dhe ‘energjinë e pamatur’”.

Sipas Kuvendit, ERE ka qenë e vëmendshme në monitorimin e cilësisë së shërbimit dhe në identifikimin e problemeve konkrete të furnizimit me energji elektrike të klientëve.

Duke marrë shkas nga raporti, Kuvendi kërkon që ERE për vitin 2011 të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje mbrojtjes së konsumatorit, duke i garantuar atij cilësinë e shërbimit të shpërndarjes dhe furnizimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, transparencë, mirinformim dhe trajtim me paanësi të ankesave.

“ERE duhet të vazhdojë të monitorojë me kujdes e në mënyrë të veçantë përmbushjen e objektivave të përcaktuar për operatorin ÇEZ Shpërndarje, në lidhje me reduktimin e humbjeve në rrjet, rritjen e arkëtimeve, realizimin e investimeve dhe mbrojtjen e konsumatorit”, thuhet në rezolutën e Kuvendit, që pret firmën finale të Parlamentit.

Top Channel