Një ekspozitë e veçantë filatelie është çelur në qytetin e Korçës me pulla të vjetra e të rralla dhe materiale dokumentare.
Pulla të shumta postare të cilat janë seleksionuar dhe ruajtur me kujdes në vite nga koleksionistët korçarë dhe që janë siguruar nga shkëmbimet postare e korrespondencat dhe që i referohen periudhës së bashkimit të Italisë janë sjellë në një ekspozitë të përbashkët të koleksionistëve korçarë dhe italianë.
Pjesë e koleksionit të pasur me mbi 102 materiale mes të cilave edhe dokumente origjinale që datojnë që nga viti 1860, të vendosura me kujdes brenda kornizave, janë paraqitur për dashamirësit e koleksioneve dhe artdashësit në Korçë duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve.
Të gjitha pullat dhe dokumentat i referohen periudhës kur Italia nuk ishte ende e bashkuar në një shtet të vetëm dhe janë ruajtur deri në ditët tona nga korrespondencat e hershme.
Ekspozita e rrallë filatelike do të qëndrojë e hapur në galerinë e arteve të qytetit të Korçës nisur nga interesi i lartë për të parë pullat e rralla dhe dokumentet që janë sjellë që nga Italia për të pasuruar koleksionin.
Top Channel