Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic ka deklaruar se zgjidhja më e mirë për cështjen e Kosovës është ndarja e saj mes Serbisë dhe Shqipërisë.

“E provuam me luftë që të mbanim Kosovën, por nuk patëm sukses. Prandaj po flas për rivendosje të kufijve sa nuk është tepër vonë”, ka deklaruar Dacic.

Në një intervistë për të përjavshmen serbe “Nin”, Dacic ka theksuar se, Serbia ka bërë gabim që nuk ka negociuar më parë me Shqipërinë për rivendosjen e kufijve.

Duke vlerësuar ndarjen e Kosovës si opsionin më real, numri dy i qeverisë serbe ka shprehur bindjen se një ditë Kosova do të bashkohet me Shqipërinë, ashtu sikurse Republika Serbe e Bosnjes me Serbinë.

“Kjo është normale, sepse bëhet fjalë për të njëjtin popull. Mund të thotë dikush se shqiptarët që jetojnë në Prishtinë janë ndryshe nga ata që jetojnë në Tiranë?”, ka nënvizuar Dacic.

Dacic është i vetmi politikan serb që po i mëshon opsionit të ndarjes së Kosovës, që nga zyrtarët e tjerë të qeverisë është cilësuar si i papranueshëm dhe një qëndrim “privat” i tij.

Top Channel