Kuvendi i Kosovës do të debatojë nesër në një seancë të jashtëzakonshme për cështjen e Ramush Haradinajt, i cili ndodhet i burgosur në gjykatën e Hagës.

Pritet që deputetët t’i drejtohen gjykatës ndërkombëtare me një apel për përshpejtimin e procesit gjyqësor ndaj Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij,

Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Kryesia e Kuvendit ka miratuar sot kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për liderin e AAK-së.

Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi ka shprehur bindjen e tij se në fund të seancës Kuvendi do të dalë me një rekomandim.

“Nesër kemi një seancë, që do të thotë se kemi një debat të kërkuar nga grupi parlamentar i AAK-së dhe që ka të bëjë me procesin që është duke u zhvilluar në Hagë ndaj Ramush Haradinajt dhe bashkëpunëtorëve të tij”, ka deklaruar Krasniqi.

Duke pasur parasysh zvarritjen e procesit gjyqësor, deputetët synojnë që drejtësisë ndërkombëtare t’i bëhet apel që të respektojë kohën, e cila në gjuhën juridike njihet si parimi i gjykimit të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

Top Channel