Dhjetëra veteran të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vendosur që të vazhdojnë grevën e tyre, ndërsa kanë hyrë në ditën e gjashtë të saj.

As edhe një vizitë nga përfaqësues të partive që janë pjesë e Kuvendit, e realizuar të premten vonë në mbrëmje, nuk i ka bindur që ta ndërpresin grevën.

Në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, që ka organizuar këtë mënyrë të protestimit, thonë se nuk i besojnë më asnjë marrëveshjeje gojore.

Veteranët e luftës kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të miratojë urgjentisht ligjin për vlerat e luftës dhe që UÇK-së e luftës së saj t’i bëhet njohje politike, duke e bërë kategori kushtetuese.

Po ashtu, veteranët kërkojnë që kategoritë e dala nga lufta të trajtohen nga Ministria e Brendshme, e jo nga ajo për Mirëqenie Sociale dhe që veteranët e invalidët të kenë imunitet përballë ndjekjeve, siç thonë ata, gjoja për krime lufte.

Në rast të mospërmbushjes së shpejt të këtyre kërkesave Këshilli paralajmëron në izolimin dhe ndalimin e kontakteve me jashtë.

Numri i grevistëve ka kaluar më shumë se 40, ndërsa thonë se për gjashtë prej tyre është dashur të thirret edhe mjeku.

Grevistët shprehën të pakënaqur edhe me qeverinë e Kosovës, që sipas tyre, ndonëse ndodhen kaq afër, nuk janë interesuar për veteranët që po qëndrojnë në këto tenda.

Top Channel