Seanca e parë gjyqësore për Ratko Mlladiç në Beograd është ndërprerë për shkak të gjendjes shëndetësore të “kasapit të Srebrenicës”.

Doktorët kanë bërë të ditur se do të informojnë gjykatën se kur i pandehuri mund të kthehet në sallë.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Milos Saljic.

“Gjykatësi u përpoq që të pyeste Ratko Mladic, por nuk arriti sepse ishte në gjendje të vështirë psikologjike dhe fizike”, ka shpjeguar avokati.

“Gjykatësi madje nuk arriti as të merrte informacionet elementare. Nuk është e mundur të bëhet një bisedë e rregullt. E pyet për një gjë dhe përgjigjet për diçka tjetër. Mendoj se ka nevojë të kurohet në spital. E vetmja gjë që ka thënë është se nuk e njeh Gjykatën Penale Ndërkombëtare”, shtoi avokati.

Ndërkohë sipas Bruno Vekaric, zëdhënësit të gjykatës serbe për krimet e luftës, Ratko Mladic ishte i aftë të komunikonte dhe është identifikuar në mënyrë formale.

“Madje m’u drejtua mua dhe më thirri në emër. Por nuk i ngjante personit që njihnim në vitet 90”, theksoi Vekaric.

Në momentin e arrestimit, ish kreu ushtarak i serbëve të Bosnjes ishte i armatosur me dy pistoleta, por nuk ka bërë rezistencë. Kapja e Mlladiç është bërë e mundur nga një denoncim anonim, që ka treguar shtëpinë ku strehohej ish gjenerali.

Megjithatë ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic ka shpjeguar se shpërblimi prej 10 milionë dollarësh, i premtuar nga qeveria për ata që do jenin informacione për kapjen e Mlladiç, nuk do të jepet.

Sipas autoriteteve, “kasapi i Srebrenicës” nuk kishte marrë identitet të ri dhe në momentin e arrestimit kishte një dokument të rregullt identifikimi.

Top Channel