Ishte lajmi që të mbijetuarit e Srebrenicës prisnin që prej vitit 1995. Mes tyre kishte lehtësim që gjenerali Ratko Mlladic më në fund u arrestua, por edhe pikëllim për ata që kanë vdekur, si dhe inat për disa të tjerë.

Kada Hodic ishte mes myslimanëve boshnjakë që u mblodhën tek kompleksi i OKB-së pranë Srebrenicës, kur qyteti ra në duart e forcave të Mlladic në korrik të vitit 1995.

Ajo u vendos nga trupat ushtarake në një autobus që u largua, ndërsa i biri, bashkëshorti dhe vëllezërit e saj u vranë barbarisht.

“Për gjithë këto vite ky përbindësh fshihej nga Serbia dhe ata e dinin se ku ndodhej. Tani po ja dorëzojnë drejtësisë. Më mirë vonë se sa kurrë, por kam frikë se gjyqi do të mbyllet pa një vendim”, shprehet Hodic.

Mlladic, 69 vjec, thuhet se është në gjendje të rëndë shëndetësore, se vuan nga një sëmundje në veshkë dhe se ka një krah të paralizuar.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Milloshevic vdiq në Hagë në mars të vitit 2006, vetëm pak pasi gjyqi ndaj tij kishte hyrë në vitin pestë.

“Për shkak të gjatësisë së proceseve të tilla, si ai ndaj Milloshevic, kam frikë se nëse nuk ndodh ndonjë gjë, për viktimat nuk do të ketë kurrë drejtësi”, shprehet Muhamed Durakovic.

Durakovic, në vitin 1995 ishte vetëm 20 vjec dhe arriti të arratisej nga Srebrenica një ditë para pushtimit nga trupat serbe.

Top Channel