Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton ka rikonfirmuar perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe angazhimin e saj për realizimin e kësaj aspirate.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Hashim Thaci, Ashton është shprehur se Kosova, ashtu sikurse vendet e tjera të rajonit, duhet të punojë për të plotësuar kriteret.

“Kemi zhvilluar bisedime të rëndësishme për të adresuar të ardhmen e Kosovës si pjesë e BE-së. Këtë vizion e ndajmë bashkarisht dhe duam ta shohim të bëhet realitet”, ka deklaruar Ashton.

Baronesha ka nënvizuar se ka biseduar edhe për cështje të tjera si liberalizimi i vizave, tregtia e lirë, roli i misionit EULEX, etj. “Për të gjitha këto kemi shqyrtuar mundësitë se si mund të ecet përpara”, ka saktësuar Ashton.

Ndërsa kryeministri Thaci, nga ana e tij e ka vënë theksin tek nevoja e një modeli evropian për zgjidhjen e cështjeve praktike me Serbinë.

Thaci ka theksuar se edhe e ardhmja e Serbisë varet nga qasja e saj me Kosovën dhe bashkëpunimi me vendet e tjera fqinje.

“E ardhmja e Serbisë nuk lidhet me emrin e Ratko Mlladic, por me sjelljen e saj evropiane në raport me Kosovën. Kosova do të zbatojë të gjitha kriteret demokratike që të përshpejtojë procesin e integrimit në BE”, ka deklaruar Thaci.

Top Channel