Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka përshëndetur arrestimin e gjeneralit Ratko Mlladic, duke u shprehur se më në fund drejtësia do të vihet në vend.

“Arrestimi i kriminelit Ratko Mlladic është një lajm i pritur gjatë nga drejtësia ndërkombëtare dhe sidomos nga familjarët e viktimave që e pësuan nga veprimet e tij”, ka deklaruar Jahjaga.

Përmes një komunikate për shtyp, presidentja vlerëson se, ky arrestim dëshmon se krimi nuk harrohet dhe se kriminelët nuk mund t’i shpëtojnë dorës së drejtësisë.

“Ky rast do të shërbejë për nxitje, që të gjithë kriminelët të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, si rruga e vetme në procesin e pajtimit dhe të heqjes dorë nga e kaluara”, ka nënvizuar Jahjaga.

Ndërsa zëvendëskryeministri Hajredin Kuci e ka vlerësuar si “veprim të vonuar” arrestimin e gjeneralit të akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid.

“Megjithatë, mund të them se është një simbolikë për vendet e ish-Jugosllavisë që ta shohin këtë veprim si një qasje të re të Serbisë dhe si një pendim për krimet që u ka bërë të tjerëve”, ka deklaruar Kuci.

Sipas tij, arrestimi ka ardhur si pasojë e insistimit të faktorit ndërkombëtar e jo nga vullneti i Serbisë dhe nuk ka të bëjë me proceset integruese.

Top Channel