Ideja e ndarjes së Kosovës, e cila doli nga zyrtarët serbë në Beograd, nuk po gjen mbështetje nga serbët kosovarë.

Përfaqësuesit serbë, të cilët bëjnë pjesë në qeverinë e Prishtinës, por edhe ata që janë kundër shpalljes së pavarësisë dhe institucioneve vendase, kundërshtojnë ndarjen e Kosovës.

Ata thonë se ndarja e Kosovës do të thotë “Shqipëri e madhe” dhe zvogëlim të territorit të Serbisë.

“Ndarja është një opsion joreal. Zgjidhje e keqe për çdo serb të Kosovës. Kështu mendoj sepse ne serbët çdo gjë që kemi në aspektin shpirtëror kemi në brendësi të vendit dhe në jug të Kosovës. Përveç kishave, janë tokat bujqësore dhe turizmi, kryesisht në pjesën e Sharrit. Në rast se do të ndahej veriu, atë pjesë do ta kaplonte varfëria”, deklaron Petar Miletic, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe Rada Trajkovic, deputete e të njëjtit institucion. “Deklaratat e ministrit të Brendshëm Ivica Dacic nuk janë më shumë se një përrallë klasike. Ai para pak ditësh deklaroi se, për çështjen e ndarjes së Kosovës po bisedohet ndërmjet Beogradit dhe Tiranës. Po kështu, ai tha se po bisedohet edhe me Rusinë. Unë nuk po e kuptoj deri kur zoti Tadic do t’i durojë dhe tolerojë këto deklarata. Por, po kështu dua ta pyes edhe Hashim Thacin se cfarë kishte biseduar me kryeministrin serb Zoran Gjingjic sa ishte gjallë. Dihet që ndërmjet tyre ka pasur diskutime dhe për këtë kërkoj shpjegime. Kjo cka po ndodh së fundmi për ne është e trishtueshme dhe e paparanueshme”, nënvizon Trajkovic.

I të njëjtit mendim është edhe deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, i cili vlerëson se, “ndarja nuk është opsion real dhe as një zgjidhje bashkëkohore”.

“Unë pranoj të jetoj në Kosovën e pavarur dhe them hapur që tani unë nuk do marr pushkën dhe të dal në luftë për ta ndryshuar këtë situatë. Dihet mirë që shumë nga ne nuk e pranojmë këtë, por kjo është çështje dëshire. Sa i përket zgjidhjes, ne së shpejti do të dalim me qëndrimet tona, të cilat dhe do t’i bëjmë publike. Fatkeqësia jonë është që politika e Beogradit po punon mbrapsht sa i përket interesave tona si qytetarë të këtij vendi”, deklaron ndër të tjera Momcilo Trajkovic.

Idetë e zyrtarëve të lartë serbë për ndarjen e mundshme të Kosovës kanë marrë përgjigje edhe nga shefi i diplomacisë amerikane në Kosovë, Christopher Dell, sipas të cilit këto ide janë të papranueshme dhe nuk kanë sjellë asgjë të mirë përveç luftës dhe shkatërrimeve.

Serbia, sipas ambasadorit amerikan, duhet të jetë e vetëdijshme dhe të pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës para anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjë që sipas tij vizita e Stefanovic në Kosovë shënon hap para në këtë drejtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA