Autoritetet në Afganistan deklarojnë se rebelët që kanë bërë aleancë me talebanët kanë marrë nën kontroll një tjetër rajon, në një pikë strategjike në veri-lindje të vendit.
Guvernatori i Nuristanit, Jamaludin Badar ka deklaruar për BBC se tre policë dhe dhjetë rebelë mbetën të vrarë gjatë aksionit.
Sipas burimit, forcat qeveritare po përpiqen të rimarin nën kontroll rajoni perëndimor të Doabit, ndërkohë që tre rajone të tjera në Nuristan janë nën kontrollin e plotë të talebanëve.
Ndërkohë, në zona të tjera, prania e trupave qeveritare është e ulët, ose e kufizuar, ka saktësuar guvernatori.
“Kishim informacione se rreth 500 luftëtarë arabë, cecenë, pakistanezë dhe afganë kishin në plan të sulmonin këto rajone”, ka deklaruar Badar.
“Luftimet janë ende në vazhdim. Armët tona nuk krahasohen me ato të rebelëve. Ne nuk kemi granata, mortaja apo armë automatike të rënda”, ka shtuar ai.
Top Channel