Vizat, pezullim i përkohshëm

24/05/2011 20:35

Komisioni Europian propozoi sot një ndryshim në rregulloren që përmban listën e atyre shteteve, qytetarët e të cilëve lejohen të lëvizin pa viza “Shengen” në territorin e BE-së, duke shtuar një klauzolë për pezullim të përkohshëm të këtij regjimi në rast emergjence.

“Ne kemi parë së fundmi probleme me disa vende ku heqja e vizave është përdorur gabimisht duke aplikuar për azil. Dhe kjo mund të ndodhë dhe në të ardhmen, prandaj Komisioni propozon sot futjen e një klauzole mbrojtëse, për të na mundësuar të pezullojmë përkohësisht këtë liri lëvizjeje me vendet e treta, në raste të jashtëzakonshme dhe rrethana të përcaktuara qartë. Pra kjo është e jashtëzakonshme dhe arma e fundit, pas një liste të gjatë masash që do të merren. Nuk do të hyjë në fuqi që sot dhe unë shpresoj të mos ndodhë kurrë”, është shprehur Cecilia Malmstrom, komisionere për çështjet e brendshme.

Ministrat e Brendshëm të BE-së shqyrtojnë këtë propozim të Komisionit në mbledhjen e 9 dhe 10 qershorit, ndërkohë që Parlamenti Europian kërkon disa muaj kohë për të miratuar këtë ndryshim të rregullores.

Pas hyrjes në fuqi, vendimi për të pezulluar përkohësisht regjimin e lirë të vizave me një shtet “abuzues” do të kërkonte shumicë të cilësuar votash në vendimarrjen e Komisionit me ekspertët e vendeve anëtare.

Për Ballkanin, disa vende anëtare të BE-së janë ankuar vazhdimisht ndaj Komisionit për numrin e lartë të azil-kërkuesve nga Maqedonia e Serbia që pas heqjes se regjimit të vizave në dhjetor 2009.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA