Qytetarët e Maqedonisë do të vazhdojnë të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Europian.

Komisioni Evropian nuk miratoi propozimin për vendosjen e mekanizimit për kthim të regjimit të vizave për Maqedoninë dhe vende tjera të Ballkanit Perëndimor.

Euro-komisarja Sesilia Malmstrom, tha se masat të cilat i ndërmori qeveria e Maqedonisë, rezultuan të suksesshme dhe se në periudhën e fundit është vërejtur një përmirësim dhe zvogëlim i numrit të azilkërkuesve, por problemi tha Malmstrom akoma ekziston.

Komisioni Evropian që në filllim të vitit vendosi mbikëqyrje të përforcuar mbi zbatimin e regjimit të vizave me vendet nga Ballkani Perëndimor, pas valës së azil-kërkuesve në disa vende të BE-së.

Belgjika, e cila ballafaqohet me numërin e madh azilantëve të rremë, ka kërkuar nga Komisioni raport për rezultatet e deritanishme nga mbikëqyrja, por edhe përgjigje nga Shkupi dhe Beogradi, lidhur me masat që këto vende do të ndërmarrin për ta ndëprerë valën e keqpërdoruesve të lëvizjes së lirë.

Qeveria e Maqedonisë ka propozuar ndryshime të Kodit Penal, me të cilin keqpërdoruesit e liberalizimit të vizave do të dënohet me burg nga 4 deri në 8 vite dhe gjoba me para deri në 500 mijë euro.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme ka forcuar kontrollet në pikat kufitare, pas alarmit nga Komisioni Evropian për rikthimin e regjimit të vizave.

MPB ka bërë të ditur se gjatë muajve të fundit rreth 500 persona janë kthyer nga pikat kufitare duke mos i lejuar për të udhëtuar në vendet e BE-së, për shkak të dyshimeve se udhëtojnë për të kërkuar azil.

Top Channel