Në një dokument tjetër sekret të përfaqësisë diplomatike amerikane në Athinë, që publikon Wikileaks dhe boton në numrin e së hënës gazeta greke “Ta Nea”, zbardhet lista me pikat më kritike të infrastrukturës në territorin grek, të cilat nëse sulmohen nga terroristët, dëmtojnë seriozisht interesat amerikane.

Shkresa sekrete është redaktuar prej specialistëve amerikanë të antiterrorit qysh prej vitit 2008, kur hetohej edhe profili i grupit terrorist Lufta Revolucionare, pas sulmit me raketë ndaj ambasadës amerikane në kryeqytetin grek.

Në vend të parë të kësaj liste është industria greke e anijeve. Flota e marinës tregtare greke përfshin të paktën 3400 anije, të cilat përbëjnë 8.4% të numrit të përgjithshëm të anijeve tregtare në mbarë botën dhe mbulojnë 13,7% të tonazhit të përgjithshëm.

“Një sulm ose një fatkeqësi natyrore do të nxjerrë jashtë loje këtë industri, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ në veprimtarinë tregtare të SHBA”, thekson ambasadori amerikan Daniel Speckhard në telegramin përkatës.

Në vend të dytë në listë është porti i Pireut, një nga dhjetë më të mëdhenjtë në Europë dhe më aktivi në Mesdheun Lindor përsa i përket lëvizjes së konteinerëve.

“Një sulm apo katastrofë natyrore mund të shkaktojë dëme në njerëz dhe në transportet vendase me ndikim në interesat tregtare të Amerikes”, shkruan ambasadori i mëparshëm Charles Ris, ndërsa kritikon masat e cekëta të sigurisë që prej vitit 2005.

Nga lista nuk mund të mungonte edhe baza detare e Sudes, në Kretë, që cilësohet si një prej pikave më të rëndësishme gjeopolitike përsa i përket furnizimit të trupave amerikane, anijeve dhe avionëve luftarakë në zonën e Mesdheut dhe Lindjen e Mesme.

Goditje për interesat amerikane do të ishin edhe objektiva të tjerë si gazjellësi TGI, midis Turqisë dhe Greqisë, apo ai Burgas–Aleksandroupolis, rrjeti hekurudhor dhe rrugët nacionale të Greqisë së Veriut, në të cilat kryhet transporti i materialeve ushtarake që shkojnë drejt Afganistanit, si dhe rrjeti kabllor detar i fibrave optike që përdor telekomunikacioni internacional.

Top Channel