Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare pati premtuar se qeveria e drejtuar prej tij do të punonte saqë për 15 muaj do të ndodhë liberalizimi i vizave edhe për Kosovën.

Tre muaj pas formimit të qeverisë, në ekzekutivin kosovar deklarojnë se kjo mund të ndodhë edhe më shpejt, porse koha e premtuar do të llogaritet që nga momenti kur të merret Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

E marrja e Udhërrëfyesit, sipas ministres për Integrim Europian, Vlora Çitaku, varet më shumë nga Komisioni Europian.

“Marrja e Udhërrëfyesit dhe akti i liberalizimit janë dy momente të ndara. Marrja e Udhërrëfyesit nuk është në dorën tonë. Nuk jemi ne ata që përcaktojnë momentin kur KE merr vendimin për hapjen e dialogut. Pas marrjes së Udhërrëfyesit që është vendim i KE-së, ne jo për 15 muaj, por edhe për një afat më të shkurtër se aq, do të përmbushim kriteret që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”, është shprehur Çitaku.

Deklarata e zonjës Çitaku erdhi pas takimit të gjashtë të Këshillit Ndërministror për Integrime Europiane.

Nga aty kryeministri Hashim Thaçi u shpreh se Kosova ka vetëm një destinacion dhe ai është Bashkimi Europian dhe se pret që brenda këtij viti të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

“Perspektiva evropiane e Kosovës është konfirmuar në vazhdimësi në të gjitha nivelet. Sidoqoftë, konfirmimi nuk është i mjaftueshëm. Kosova ka nevojë për koordinata të sakta për këtë qëllim. Përkundër partneritetit dhe marrëdhënieve të ngushta, Kosova mbetet i vetmi vend pa marrëdhënie kontraktuale me BE-në”, ka pohuar Thaci.

Kreu i qeverisë, z. Thaçi, po ashtu deklaroi se pret që të fillojë dialogu me institucionet e BE-së, për liberalizimin e vizave.

Sipas tij, puna për plotësimin e kritereve për integrim europian nuk varet nga një individ, apo ministri, por është detyrë e çdo institucioni të Kosovës.

Top Channel