Guvernatori i Bankës së Francës, Christian Noyer ka ritheksuar se
ristrukturimi i borxhit të Greqisë do të ishte një “skenar horrori” për
këtë vend.

Sipas tij, zgjidhja e vetme për shtetin helen do të ishte aktivizimi i plotë i programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian.

“Ristrukturimi i borxhit grek do të conte në kolapsin e ekonomisë greke dhe ky është skenari i horrorit”, ka deklaruar Noyer.

Deklarata e tij vjen një ditë pas njoftimit të planit të ri të riorganizimit nga Athina zyrtare, që përfshin privatizimet e menjëhershme.

“Ristrukturimi sot nuk përbën një zgjidhje. Përsa i përket zgjatjes së afateve lindin cështje juridike shumë të komplikuara dhe ka mundësi që kjo të jetë baraz me një kundërvajtje”, ka nënvizuar Noyer.

Megjithatë, sipas tij, ka një zgjidhje tjetër. “Është ajo që ne të mbështesim ose thjesht të aktivizojmë programin mbi të cilin është rënë dakord plotësisht dhe integralisht me FMN, BQE dhe BE-në”, ka shtuar Noyer.

Top Channel