Ristani: KZAZ-të s’kishin mundësi ligjore

23/05/2011 19:40

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani ka argumentuar gjatë mbledhjes me komisionerët vendimin e Komisionit për numërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara.

Gjatë fjalës së tij, Ristani është shprehur se KZAZ-të nuk kishin një procedurë ligjore për të marrë një vendim të posacëm për raste të tilla.

“Për ne ka rëndësi ai që voton, jo ai që numëron. Në përputhje me kompetencën e nenit 33, gërma C, KQZ vendosi administrimin e fletëve të panumëruara. Nga shqyrtimi i këtij dokumentacioni, KQZ vëren se: KZAZ-të kanë konstatuar hedhjen e gabuar të fletëve dhe mungesën e një procedure uniforme për zgjidhjen e kësaj cështje”, ka pohuar Ristani.

“Gjatë shqyrtimit të këtyre fletëve, anëtarët e KZAZ-ve s’kanë pasur mundësi ligjore për shqyrtimin e tyre dhe kanë vepruar në mënyrë alternative”, ka saktësuar ai.

Ristani ka theksuar se KQZ është organi më i lartë shtetëror i administratës zgjedhore dhe në funksion të këtij tagri ushtron të gjitha kompetencat ndaj organeve në vartësi të tij.

“Ligji thotë se, kur është e nevojshme KQZ duhet të përdorë autoritetin e saj ndaj KZAZ-ve dhe duhet të jetë më proaktive në zgjidhjen e këtyre problemeve”, ka shtuar Ristani.

Top Channel