Kriza e zgjedhjeve zbret në Bruksel

23/05/2011 20:30

Këshilli i vendeve të Adriatikut dhe Jonit solli në Bruksel ministrin e Jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto.

I koordinuar me qëndrimin e Tiranës zyrtare, ministri deklaroi se Shqipëria i përmbushi standartet e kërkuara nga ndërkombëtaret me këto zgjedhje lokale.

“Unë mendoj që po. Besoj se edhe kjo pjesë konkluzive e procesit do administrohet në përputhje me ligjin, me qëllim që ne të kualifikohemi për këtë ushtrim. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që t’i japim shans procesit ligjor, të mbarojë ai dhe pastaj të shprehen vlerësimet”, ka deklaruar Haxhinasto.

Në të njëjtën kohë me këtë deklaratë të ministrit Haxhinasto, në selinë e Këshillit të BE-së, ministrat e Jashtëm europianë vendosën të tërheqin nga axhenda e pikave “A” që miratohen pa diskutime, marrëveshjen BE-Shqipëri për pjesëmarrje në operacionet e menaxhimit të krizave.

Po kështu, në mesditë diplomatët europianë shtynë për shkak te hezitimeve diskutimin e zgjedhjeve shqiptare, parashikuar së bashku me Bjellorusinë, si pikë e “cështjeve të tjera” në rendin e ditës.

Këshilli i Adriatikut dhe Jonit, ku mori pjesë ministri Haxhinasto, synon të përmirësojë zhvillimin e vendeve që lagen nga këto dy dete.

Iniciuar nga Italia dhe Sllovenia, kjo iniciativë u mbështet nga Komisioni Europian, i cili parashikohet të financojë projekte të përbashkëta që synojnë zhvillim të qëndrueshëm në fushën e mjedisit, peshkimit, tregtisë dhe energjitikës, por dhe luftës së përbashkët ndaj trafiqeve.

Megjithëse pa dalje në det, Serbia bën pjesë sot në Këshillin e Adriatikut dhe Jonit, ndërsa në të ardhmen lajmërohet një anëtarësim i mundshëm i Kosovës dhe Maqedonisë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel