KQZ, sot shpallen rezultatet për Tiranën

23/05/2011 08:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar mbrëmjen e së dielës, numërimin e 125 kutive ku ishin hedhur gabimisht fletë-votimi të cilat nga antarët e grupeve të numërimit dhe KZAZ-t ishin shpalluar si të pavlefshme, por vendosur në zarfin e votave të kontestuara.

Numërimi i kryer nga KQZ i cilësuar nga përfaqësuesit socialist në këtë komision si një tjetërsim i rezultatit që prodhoi kutia e fundit në Tiranë, njëkohësisht i pabazuar në bazë ligjore, i shtoi kandidatit Lulëzim Basha 173 vota, ndërsa Edi Ramës 83 vota.

Ndërsa përfaqësuesit demokratë e kanë përshëndetur këtë veprim të kryetarit Ristani me arsyetimin se pavarësisht nga hedhja e fletëve të votimit në kuti të gabuara, ato duhet të numërohen.

Për momentin, KQZ me përfundimin e numërimit e ndryshon rezultatin e Tiranës, i cili u prodhua nga numërimi i kutisë së fundit në KZAZ-n 49 të njësisë numër 5 ku kandidati Edi Rama doli fitues me 10 vota më shumë kundrejt rivalit Lulzim Basha.

Megjithatë mbetet e panjohur baza ligjore e kësaj vendimarrjeje, nëse ka një të tillë, pasi siç edhe e pohoi vetë Jonathan Stonestreet, kryevëzhguesi ODIHR-it, vendimi për hapjen e kutive nuk i është vënë në dispozicion nga KQZ-ja.

Arben Ristani kryetar i KQZ-së në mbarim të mbledhjes deklaroi se si do të proçedohet të sot. Ai theksoi se fillimisht do të miratohet në tërësi vendimi pasi ishte miratuar vetëm nen për nen dhe më pas do të kalohet në miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për KZAZ-në nr.49. Më pas KQZ do të miratojë tabelën për të 11 KZAZ-të e Tiranës.

Pavarësisht rezultateve zyrtare që KQZ do të shpallë të hënën kjo nuk do të jetë fundi i sagës elektorale për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Vendimarrja e shumicës në KQZ për numërin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara do ta marrë vlefshmërinë apo jo vlefshmërinë ligjore në Kolegjin Zgjedhor.

Beteja për kreun e bashkisë më të madhe në vend vazhdon. Të paktët edhe për disa ditë të tjera deri në shprehjen nga Kolegji Zgjedhor që ndodhet përballë një sprovë të madhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA