Vizita private e presidentes kosovare, Atifete Jahjaga në Tetovë, ka përplasur dy forcat më të mëdha politike në Maqedoni.

Partia Demokratike Shqiptare ka akuzuar subjektin shqiptar në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim, se po keqpërdor institucionin e Presidentit të Kosovës për qëllime politike.

“Se manipulimi i BDI-së nuk njeh kufi më së miri vërehet kur disa herë radhazi ky subjekt politik keqpërdor institucionin e Presidentit të Kosovës dhe të Shqipërisë për përfitime politike duke e vënë në pyetje kredibilitetin e postit të Presidentit dhe duke i detyruar po ato institucione të reagojnë me anë të demantit”, ka deklaruar Luan Tresi, zëdhënës i PDSH-së.

Ndaj këtyre akuzave, përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim janë kundërpërgjigjur përmes një deklarate me shkrim, në të cilën thuhet se opozita është ajo që po keqpërdor vizitën private të zonjës Jahjaga në Tetovë.

“Presidentja ishte në vizitë private dhe këtë e ka bërë të qartë edhe kabineti i saj. Privatësia e presidentes është bërë e qartë edhe nga ana jonë, sepse nuk kemi bërë asnjë prononcim publik lidhur me ardhjen e saj. Ndaj, ftojmë konkurentët politikë të mos keqpërdorin këtë vizitë për të pontuar politikisht”, thuhet në reagimin me shkrim të BDI-së.

Presidentja kosovare të premten, gjatë vizitës që pati në Tetovë, ka takuar privatisht në një nga restoranet e këtij qyteti përfaqësuesit e BDI-së.

Takimi i presidentes kosovare vetëm me zyrtarë të një partie politike në kohën kur në Maqedoni po zhvillohet fushata elektorale, nga analistët është vlerësuar si një veprim jo i matur dhe jo korrekt.

Top Channel