Hapen Lojërat Olimpike Speciale

23/05/2011 15:30

Presidenti Topi hapi sot ceremoninë e Lojrave Olimpike Speciale
Shqiptare 2011, ku do të garojnë rreth 300 të rinj e të reja me aftësi
të kufizuara. Ky është viti i katërt që zhvillohet në Tiranë kjo
ceremoni e ketij aktiviteti te vecante.

“Pas pak juve do kaloni me pishtarin ndezur në bulevard. Ky bulevard padyshim është aksi kryesor i Tiranës, ku janë vendosur institucionet kryesore të vendit dhe që në radhë të parë duhet të ketë simbolikën e paqes. Dhe më shumë se ju askush tjetër nuk besoj se e demonstron. Njerëz që pavarësisht vështirësive të caktuara fizike bëjnë t’i eliminojnë këto vështirësi, të kapin mesazhin e konkurrencës, pjesëmarrjes, të japin mesazhin e paqes e t’i thonë të tjerëve që shikoni mos u bëni kaq egoiste, indiferentë, sepse jeta nuk është thjesht komoditeti i kolltukut të secilës zyrë që ju mbuloni, bëhuni pjesëmarrës dhe ju, merrni filozofinë e pjesëmarrjes dhe të humanizmit, të tolerancës”, tha Topi.

Më tej ai bëri thirrje për mbështetje dhe rritje të ndjeshmërisë humane nga të gjithë e institucionet, nga njerëzit, biznesi e mbarë shoqëria. 

Lojrat Olimpike Speciale Shqiptare 2011, zhvillohen për të katërtin vit radhazi. Aty do të garojnë rreth 300 të rinj e të reja me aftësi të kufizuara, të cilët do të përfaqësojnë 14 skuadra nga rrethe të ndryshme të vendit në gjashtë disiplina sportive: futboll, basketboll, çiklizëm, ping-pong, atletikë dhe bouling. 

Në këtë ceremoni sportive ishin të pranishëm Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Eugen Volfart, Zëvendësambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabet Evans, Zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Dashnor Bajaziti, Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, përfaqësues dhe drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, të Fondacionit “Vodafone Albania”, të Qendrës Sociale “Don Bosko”, personalitete të njohura të botës së sportit shqiptar, si dhe Presidenti i Olimpikut Special Shqiptar, Ismet Bellova.

Top Channel