
Me rifillimin e mbledhjes së KQZ, komisioneri socialist Genc Gjoncaj ka akuzuar lidershipin e këtij institucioni se nuk ka ndjekur procedurat ligjore.
Duke iu drejtuar kreut Arben Ristani dhe komisionerëve të djathtë, Gjoncaj ka theksuar se KQZ ka tejkaluar kompetencat e saj duke ndryshuar tabelat e KZAZ-ve.
“Është ndërhyrë pa ankimim dhe pa procedura ligjore në tabelat e KZAZ-ve. Ndryshimi i vendimit të KZAZ-së për ndryshimin e tabelës kërkon shumicë të cilësuar në KQZ, duke iu nënshtruar një procedure ankimuese. Gjithë vendimmarrja që ka shoqëruar këtë proces ka qenë 4-3, që e bën të pavlefshëm”, ka pohuar Gjoncaj.
Sipas tij, në bazë të ligjit, KQZ është e kufizuar vetëm në miratimin e tabelave të KZAZ-ve dhe jo në ndryshimin e tyre.
“KQZ nuk ka kompetencë të ndryshojë rezultatin e KZAZ-ve. Është KZAZ-ja ajo që miraton tabelën përmbledhëse të qendrave të votimit, jo KQZ, që duhet vetëm të bënte nxjerrjen e rezultateve në bazë të këtyre tabelave”, ka nënvizuar Gjoncaj, i cili ka akuzuar demokratët për “shpikje juridike”.
Top Channel