Dhunimi i vëllezërve, KSHH: Të hetohet rasti

23/05/2011 10:30

Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon hetim transparent dhe të paanshëm
për ngjarjen e 20 majit, ku dy vëllëzër, pjesëmarrës në protestën e
opozitës jashtë selisë së KQZ-së u keqtrajtuan nga forcat e policisë.

“KSHH e pa të nevojshme të reagojë publikisht, sepse raste të tilla janë të përsëritura. Kjo është vënë re sidomos mbas shpërndarjes së tubimeve ndaj personave të identifikuar si pjesëmarrës në to”, thuhet në një reagim të shpërndarë për mediat.

Sipas Komitetit, mjaft raste të tilla, madje më të rënda dhe pjesërisht të cilësuara me elementë torture, janë përmendur edhe në raportin e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të KE-së lidhur me ngjarjen e 21 Janarit 2011, që mbas tubimit, u ndaluan dhe u keqtrajtuan një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish në tubim, midis tyre edhe kalimtarë të rastit.

“Sipas të dhënave të medias, fakti i ushtrimit të dhunës nuk mohoet por pretendohet se të dy personat e mësipërm, Urimi dhe Shpëtim Marku kanë fyer dhe kundërshtuar punonjësit e policisë. KSHH, nëpërmjet shtypit u informua gjithashtu se organet përkatëse janë duke hetuar edhe ankesën e të dëmtuarve, se ndaj tyre është ushtruar dhunë në atë masë sa u pa e nevojshme që këto organe t’i shtronin në spital”, thuhet në reagim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA