E diela s’ishte ditë pushimi për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Anëtarët e këtij komisioni kanë vazhduar punën me intensitet të plotë, duke shqyrtuar fillimisht ankimimet e forcave politike, teksa në sallën e mbledhjeve plenare, mbërrinte furishëm, zëri protestuesve socialistë jashtë ambjenteve të Pallatit të Kongreseve.
Dy prej tre ankimimeve të shqyrtuara gjatë paradites janë shpallur si të pabazuara në ligj dhe me mungesa të provave për të hetuar pretendimet e palëve.
Ndërsa ankimimi i tretë nga Partia Socialiste, nuk mori dritën jeshile për t’ju nënshtruar hetimit pasi nuk u arrit kuorumi nevojshëm.
Kur të gjithë mendonin se kishin mbetur edhe 8 kuti për t’u hapur në KQZ kryetari Arben Ristani pak përpara një pushimi ndërmjet mbledhjeve, e rrëzoi këtë pritshmëri.
Zoti Ristani deklaroi se janë zbuluar të dhëna shtesë që sygjerojnë se janë kuti të tjera që duhet të shqyrtohen në të cilat janë hedhur gabimisht fletë votimi.
Zyra e shtypit e KQZ-së vuri në dispozicion të medias një listë në të cilën janë shënuar 27 kutitë e tjera nga KZAZ numër 49 e njësisë numër 5, që do të hapen në të cilat sipas KQZ-së ndodhen 80 vota të hedhura gabimisht, packa se janë shënuar si të kontestuara dhe të shpalluara si të pavlefshme nga grupet e numërimit dhe vetë KZAZ.
Deri në orën 15:50 kur përfundoi mbledhja paradites u hapën edhe 10 kuti prej të cilave 6 vota iu shtuan kandidatit Lulzim Basha po aq kandidatit Edi Rama dhe një Hysni Milloshit.
Vota iu shtuan edhe subjekteve politike, që garonin për këshillin bashkiak, dhe këshillin e minibashkive, për të cilat fletëvotimet ishin hedhur në kutitë e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës.
Sikurse në ditët e shkuara juristët e Partisë Socialiste dhe anëtarët e majtë në KQZ përsëritën akuzat për Arben Ristanin.
Pavarësisht këtyre akuzave zoti Ristani ka vijuar i qetë urdhërimin e hapjeve të kutive të tjera dhe ndryshim e rezultatit në tabelën përfundimtare të c’do kutie të firmosur nga anëtarët e grupeve të numërimit përfshi ata të KZAZ-ve përkatëse.
Nërsa përfaqësuesit demokratë përshëndetën vendimin për numërin e cdo vote.
KQZ ka shqyrtuar 113 kuti duke ndryshuar rezultatin e Tiranës, me 170 vota plus për kandidatin Lulzim Basha, 81 vota për kandidatin Edi Rama dhe 3 vota Hysni Milloshit.
Mledhja e pasdites ka nisur përsëri me shqyrtimin e ankimimeve, ndërsa jashtë u rigrumbulluan sërish deputetë e protestues të opozitës.
Top Channel