Për një makth me revolta të përgjakshme në Greqi dhe skena si ato që u zhvilluan në Argjentinë para disa vitesh paralajmëron investitorët e huaj Agjensia e Qendrore e Informacionit, CIA.
“Revolta dhe fenomenet e përgjakshme të dhunës do të kenë një përshkallëzim të dukshëm sa më shumë që rriten masat financiare të qeverisë për përballimin e krizës”, nënvizohet në raportin e saj.
Sipas mediave greke që analizojne raportin, pavarësisht diplomacisë ekonomike që ushtron FMN në Greqi me parashikime kurajoze në mënyrë që të mos humbasë kapitalet e dhëna borxh, shërbimet sekrete të SHBA shprehen hapur se ditët më të vështira janë përpara dhe reagimet e ashpra sociale do të bllokojne zbatimin e programit të politikës ekonomike duke çuar në revolta të përgjakshme dhe bastisje.
“Sindikatat greke kanë reaguar ndaj masave të reja financiare, por deri tani grevat kishin një ndikim të kufizuar ndaj qëllimit të qeverisë për të zbatuar reformat. Një rritje e protestave të gjera do të mund të vinte në dyshim aftësinë e qeverisë të zbatonte reformat dhe synimet e saj për buxhetin, por gjithashtu do të çonte në revolta ose dhunë”, thuhet në raport.
Gjithashtu vihet në dukje se në vitin e kaluar borxhi grek shkaktoi presion të madh tek Eurozona dhe lindi problematikën nëse një vend anëtar mund të përjashtohet prej saj apo mund ta braktisë me dëshirën e vet monedhën e përbashkët.
“Greqia vërtet po zbaton reformat e duhura, por pyetja është se sa e aftë do të jetë që t’i vazhdojë ato sepse parashikimet e tregjeve botërore janë të zymta dhe revolta popullore do të rritet në maksimum”, përfundon raporti.
Top Channel