Basha: Nuk tërhiqem

22/05/2011 17:25

Brenda pak orëve nga publikimi i letrës së hapur së Ismail Kadaresë, ku i kërkonte tërheqjen nga gara për Tiranën Lulzim Bashës, kandidati i Aleancës për Qytetarin nuk ka vonuar t’i kthejë përgjigje.

Një përgjigje negative për tërheqjen e tij nga gara, ku e siguron se do të dëgjoje deri në fund zërin e qytetarëve të Tiranës, do të ndjekë të gjithë rrugën ligjore dhe do ta respektojë atë deri në fund.

“E gjithë filozofia e fushatës sime është mbështetur në dëgjimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët.  Ndaj sot e kam të pamundur të mbys zërin e mbi 124 mijë qytetarëve të cilët i janë përgjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim për shndërrimin rrënjësor të kryeqytetit të shqiptarëve, që mjerisht po përjeton një kolaps urban, mjedisor dhe mund të themi ekzistencial.  Nuk jam unë ai që vendos nëse do të bëhem apo jo kryetari i ardhshëm i Bashkisë.  Ky është vendimi i votuesve dhe unë nuk kam asnjë të drejtë, që në asnjë rrethanë të braktis zgjedhjen që ata kanë bërë”, thotë Basha.

Në përgjigjen e tij Lulzim Basha i përgjigjet Kadaresë se të ardhmes europiane të Shqipërisë i vlejnë gara dhe demokracia.  Madje zoti Basha shkon me tej, kur e konsideron propozimin e Ismail Kadaresë për tërheqjen e tij nga gara një pazar me demokracinë, duke u shprehur se “dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin e tij apo kundërshtarit e dëmtojnë demokracinë”.

Për këtë arsye, Lulzim Basha shkruan se është “më mirë një garë deri në votën e fundit sesa një garë e munguar”.

“Duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë.  Me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri.  Vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por me çmimin e madh të rënies së demokracisë.  Sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira sesa të shpallë se përfundimisht nuk bën dot zgjedhje”, vijon përgjigja e kandidatit demokrat.

Nëse do të pranonte propozimin e Ismail Kadaresë për t’u tërhequr nga gara, Lulzim Basha thotë se në kryeyqytet do të instalohej një pushtet që mban peng atë në kundërshtim me vullnetin e zgjedhësve dhe se në besimin e tij kjo zgjedhje do të ishte rruga më europiane dhe demokratike sesa rotacioni politik që është baza e cdo demokracie.

“Çdo tërheqje e imja në këto kushte jo vetëm do të ishte një akt anti-demokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës sepse për pasojë edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar. Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rrugës nuk janë më të pranueshme sesa votimi i lirë, numërimi i votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve”, thotë Basha.

Sfidës së Ismail Kadaresë për tërheqje nga gara, Lulzim Basha i është përgjigjur me një sfidë të re, por në adresë të Edi Ramës.

Në fund të letrës Lulzim Basha shpreh gatishmërinë të takohet para publikut dhe mediave kudo dhe kurdo me rivalin e tij për Bashkinë e Tiranës për të realizuar atë që zoti Basha e quan një akt moral dhe qytetar për respektimin e ligjit, për të pritur me qetësi vendimin e insitucioneve, për t’i dhënë fund gjuhës së dhunës dhe për të pranuar, sic shkruan Lulzim Basha, verdiktin e qytetarëve të shprehur me votë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA