Protestat në rrethe, 7 të ndaluar në Vlorë

20/05/2011 10:00

Pas protestave të djeshme të opozitës, që cuan në bllokimin e rrugëve, drejtoritë e policive në Vlorë e Durrës njoftojnë ndalimin e disa personave dhe nisjen e procedimit penal ndaj tyre.

Drejtoria e policisë së Vlorës ka njoftuar se ka nisur procedimin penal ndaj 7 personave që morën pjesë në bllokimin e rrugës në Urën e Mifolit ditën e djeshme, nga ora 12 deri në orën 15.

Policia do t’i akuzojë ata për pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të qetësisë publike dhe ndotje të ajrit, veprime të kryera në kushtet e bashkëpunimit.

Në një njoftim të ngjashëm, Drejtoria e policisë së Durrësit ka njoftuar nisjen e procedimit penal në gjendje të lirë ndaj 18 personave, për veprat penale të organizimit e pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme dhe pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit.

Ata akuzohen se kanë bllokuar rrugën Kurbin-Tiranë, në fshatin Derven të Fushë Krujës, vetëm në një aks. Pas negocimit të shërbimeve të policisë me pjesëmarrësit, këta të fundit pas rreth 10-15 minutash u larguan vullnetarisht duke mundësuar kështu zhbllokimin e trafikut.

Gjithashtu janë paditur edhe 5 persona që morën pjesë në bllokimin e rrugës Tiranë-Durrës.

Top Channel