Vrasja e tmerrshme e Kozarës

19/05/2011 19:05

Në mbrëmjen e 9 shkurtit të vitit 2006, Shpëtim Marra ndodhej në dhomën e ndenjes së shtëpisë së tij së bashku me bashkëshorten shtatzënë dhe me fëmijën e vogël.

Një person hyn në shtëpi, futet në dhomën e ndenjes dhe zbraz karikatorin ndaj të gjithë familjes. Asnjë nuk mbijeton.

Saktësisht quhet fshati Havaleas në komunën e Kozarës dhe ky nuk do të jetë i vetmi saktësim që do të bëjmë gjatë këtij reportazhi.

Në familjen Marra nuk ka pasur qetësi dhe drejtësi që nga mëngjesi i 10 shkurtit 2006. Një natë më parë kishte ndodhur masakra e tmerrshme dhe i pari që i gjeti trupat e pajetë ishte Ilir Marra.

Skena ka qenë thellësisht traumatike për të, por për pjesëtarët e tjerë të familjes tronditëse janë edhe shenjat e plumbave të cilat me gjithë përpjekjet për t’i mbuluar duken ende fare qartë.

Fajtor për ngjarjen makabre u shpall Luan Marra. U dënua nga të tre shkallët e gjyqësorit se kishte ekzekutuar Shpëtim, Florie, Artiolin 27-muajsh dhe fetusin pak muajsh, të gjithë njerëz që mbanin mbiemrin e tij.

Dyshimi mbi të cilin u bazua fajësia e tij kishte të bënte në lidhje me një marrëdhënie të mundshme mes tij dhe gruas së vëllait dhe se shtatzania e Flories ishte pasojë e kësaj marrëdhënieje. Analiza e ADN-së së fetusit dhe e Artiolit të vogël vërteton se babai në të dy rastet është Shpëtim Marra dhe jo Luani. Madje familja Marra nuk ka dyshuar kurrë te ky i fundit për një arsye shumë të thjeshtë.

“Ishim të gjithë në shtëpi dhe po shikonim televizor së bashku me Luanin në orën kur ka ndodhur vrasja”, tregon Shefqet Marra, babai i Luanit.

Shefqet Marra është një burrë fatkeq që ka humbur një djalë, dy nipër, një nuse dhe shumë jetë këto vite, por ende sot kërkon vërtetë drejtësi.
 
“Luani nuk është autori i vrasjes dhe për këtë jemi të bindur. Autorët janë të tjerë dhe ata janë të lirë. Policia i di shumë mirë dhe i ka në dosje”, shprehet një i anëtar i familjes Marra.

Mesa duket masakra ndaj familjes së varfër të fshatit ka vazhduar me një tjetër vrasje. Viktima është djali i palindur i Luan Marrës. Dhuna gjatë marrjes në pyetje e çdo pjesëtari të familjes ka pasur shumë pasoja e vazhdon të ketë në gjumin e trazuar të tyre.

“Nga dhuna e policisë nusja e Luanit ka dështuar fëmijën e saj. Në datën 16 shkurt kemi qenë familjarisht në polici”, theksojnë pjesëtarët e familjes Marra.

Gjatë hetimeve, në media u transmetua një video ku duket Luan Marra duke pohuar atë që duket si dinamika e shfarosjes.
 
Një material filmik i tillë mjaftoi të bindë gjykatat, por jo familjen: “Nuk i dimë provat e mjaftueshme me të cilët u dënua Luani. Ne nuk kemi parë asnjë provë në sallën e gjyqit.”

Ata e kanë parë e dëgjuar këtë video në gjykatë të gjithë së bashku ndërkohë që në çdo seancë Luan Marra e ka mohuar autorësinë e ngjarjes.

“Në atë video duket vetëm Luani që përsërit fjalët që i thotë polici dhe asgjë tjetër”, shprehen anëtarët e familjes Marra.

Duket se pretendimin e tyre e ka besuar Gjykata Kushtetuese, autoriteti suprem në Shqipëri dhe këto ditë është shfuqizuar çdo vendim i mëparshëm nga Gjykata e Beratit, Apeli i Vlorës dhe çështja është rikthyer për gjykim.

Por çfarë nënkupton pafajësia e Luan Marrës pas 5 vitesh në burg? Raporti mjeko-ligjor vërteton dhunën fizike që është ushtruar ndaj tij për të pranuar fajin.

Shefqet Marra qëndron ende i fortë që të ketë tashmë mundësi të shohë drejtësi pasi kjo do të thotë që nuk ka ende autor të masakrës së Kozarës.

“Të gjitha vendimet që janë marrë për këtë çështje janë qesharake, por ende kemi besim se do të vendoset drejtësia”

Një dokument ekskluziv është një informacion që disa agjentë kanë raportuar në lidhje me autorë të mundshëm të veprës, informacion që nuk është marrë parasysh.

Gjatë kohës që ky informacion vinte nga terreni, përveç dhunës fizike, familja Marra pësonte dhe atë psikologjike: “Thërrsinin babain vetëm dhe i thonin që ta pranonte ai krimin dhe të na shpëtonte ne të tjerëve. Ose më thërrisnin mua dhe më sugjeronin që të thoja që krimin e kishte bërë babai. Në këtë mënyrë do të shpëtoja unë. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe me Luanin.”
 
Pas pak ditësh do të merret një tjetër vendim për Luan Marrën, njeriun që humbi vëllanë me familjen, djalin e vet të palindur, ndarjen nga bashkëshortja dhe nga pjesa e mbetur e familjes për së gjalli.

Por, a do të ketë drejtësi këtë herë?

Top Channel