
Muaji prill konfirmon tatëpjetën e financave shqiptare dhe parashikimet për një fund dramatik të bilancit buxhetor po forcohen gjithnjë e më shumë.
Në muajin shkurt dhe më pas, në mars, të ardhurat dhe shpenzimet rezultuan me të dhëna negative sa i takon ekuilibrit buxhetor, por duket se muaji prill ka dhënë goditjen e radhës.
Shqetësimi i ekonomistëve se fushata elektorale me shpenzimet e larta do të rrezikonte stabilitetin e financave, duket se u vërtetua, pasi të dhënat më të fundit nga Ministria e Financave tregojnë për një nivel aspak optimist të të ardhurave.
Deri në fund të muajit prill 2011, qeveria ka mundur të mbledhë 103 miliardë e 666 milionë, nivel ky që i qëndron shumë larg planit të vendosur nga Ministria e Financave. Edhe nëse e krahasojmë me vitin 2010, të ardhurat në total paraqiten dobët, me më shumë se 1 miliard lekë mangët.
Situata me zërat e tjerë të arkëtimeve duket tërësisht negative. Duket se në muajin prill, administrata është marrë me fushatën elektorale dhe jo me mbledhjen e taksave, pasi jo vetëm që nuk është realizuar plani, por duke e krahasuar me vitin 2010, niveli paraqitet me rreth 50 miliardë (50 milionë dollarë).
Të ardhurat tatimore, si periudhë katërmujore (janar-prill), rezultojnë të jenë rreth 94 miliardë e 621 milionë lekë, nga 99 miliardë e 914 milionë lekë të mbledhura vitin e kaluar.
Pothuajse të gjithë skenarët rezultojnë me dështim të planit. Qeveria nuk po mundet të mbledhë më shumë taksa as sa viti i krizës 2010, kur buxhetit iu shkurtuan gati 400 milionë dollarë, për shkak të nivelit të ulët.
Duke analizuar më tej situatën me arkëtimet, shikohet nga tabelat e publikuara dje nga ministria se, doganat dhe tatimet nuk kanë mundur të vjelin më shumë se 1.4 miliardë lekë më tepër se viti i kaluar. Ministria nuk i ka paraqitur të dhënat sa i takon planit, për të pasur një bazë krahasimi, ndoshta si tentativë për të fshehur dështimin me arkëtimet, por analiza me vitin e kaluar tregon qartë mungesën e performancës.
Tatimet dhe doganat deri në fund të muajit prill kanë arkëtuar nga taksat rreth 70 miliardë lekë, ku vetëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) kanë siguruar 34 miliardë e 860 milionë lekë, ose diçka më pak se 100 milionë lekë krahasuar me vitin 2010, ose të paktën 3 miliardë lekë mangët krahasuar me planit (nisur nga ecuria e parashikimeve mujore të vendosur nga ministra).
Top Channel