
Sajmir Tahiri, deputeti i Partisë Socialiste, deklaroi në emisionin Top Story në Top Channel se qytetarëve shqiptarë po u vidhet vota.
“Shqipëria po kthehet mbrapsht. Zgjedhjet përfunduan dhe të gjithë e bënë llogarinë e rezultatit. Kjo është një vjedhje dhe po i imponohet qytetarëve një rezultat tjetër. Kryeministri i vendit tallet me qytetarët duke u rrëmbyer votën atyre. Në këto kushte nuk mund të flitet për dialog politik”, deklaroi Tahiri.
“Duhet që Sali Berisha t’i nënshtrohet ligjit: të shpallë Edi Ramën fitues dhe të vazhdojë ankimimet. Kemi protestuar të gjithë para KQZ-së ku ka pasur edhe demokratë në protestë të cilët janë të indinjuar nga kjo vjedhje e hapur. Nuk kemi ndërmend të tolerojmë asgjë”, shtoi deputeti i Partisë Socialiste.
“Presim nga KQZ vetëm shpalljen e rezultatit. Nuk duhet të gënjejmë shqiptarët. KQZ me urdhër politik po manipulon rezultatin e zgjedhjeve”, përfundoi Tahiri.
Top Channel