
Kryetari i PS, Edi Rama i ka cilësuar si “qesharake” argumentet e përdorura nga kryeministri Berisha në favor të KQZ, për numërimin e fletëve të kontestuara.
“E dëgjuam të gjithë Saliun në rolin e konsulentit juridik të KQZ-së. Foli përcartë, duke treguar se është vetëm ai që po orkestron maskaradën e dhunimit të ligjit, për të vjedhur fitoren tonë të qartë në Tiranë”, ka deklaruar Rama.
Kandidati i majtë për bashkinë e kryeqytetit i ka bërë thirrje kreut të qeverisë që të heqë dorë nga kjo “maskaradë”, e cila sipas tij mund të ketë pasoja të rënda.
“Nuk e di sa mund të vlejnë thirrjet në një mendje të shthurur, por në emër të qytetarëve të këtij vendi dhe interesave të larta të tij, i thërras Saliut, ndalo këtë maskaradë, që e ke orkestruar ti dhe tërhiqi vjedhësit e tu nga fitorja në tavolinë”, ka pohuar Rama, duke paralajmëruar se opozita nuk do ta njohë rezultatin që do të dalë nga ky numërim.
“Opozita jo vetëm që nuk do ta njohë rezultatin e fabrikuar nga kjo maskaradë, por nuk do të njohë as qeverinë tënde, e cila po hap rrugë me një paturpësi të egër në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtareve me kuti pa kode. Ndaloje këtë turp, që turpëron Shqipërinë dhe fyen cdo shqiptar pa dallim”, është shprehur Rama.
Sipas tij, këto veprime vijnë si pasojë e dëshpërimit të thellë të kryeministrit për humbjen jo vetëm të Tiranës, por edhe të atyre zonave që deri para pak kohësh ishin bastione të PD.
“Argumentat e Saliut janë sa qesharakë, aq edhe të frikshëm, sepse tregojnë jo vetëm sa poshtë ka rënë ky vend, por edhe në c’humner ndodhet ai. Zotëria, i zemëruar prej dështimit, nuk mund ta kthejë atë në dëshpërimin e zi të zgjedhjeve. Saliu po thellon një krizë që e bën atë përgjegjës për cdo pasojë dhe që jep një goditje në rrugët e integrimit dhe duke kycur paqen, sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, ka nënvizuar Rama.
“Ky kryeministër asnjëherë nuk mbetet pa u bërë komik para ekranit. Ka shumë shqiptarë që nuk dallojnë ngjyrat, tha doktori. Por është ai që nuk ngjyros dot me blu Tiranën dhe as Kavajën që e fshiu këtë ngjyrë”, ka vijuar kreu i PS.
Ai ka theksuar se opozita nuk do të tërhiqet nga kjo maskaradë, duke paralajmëruar ngritjen në këmbë të “të dhunuarve” kundër kësaj diktature.
“Saliu nuk do ta trembë dot opozitën, që do të jetë më e vendosur se kurrë për të mbrojtur votën. Të harrojë se do të qeverisë Tiranën duke e vjedhur si hajdut pulash në tavolinë. Ne jemi të dhunuarit që do ngrihemi në këmbë si një trup i vetëm për të shporrur pushtetin e dhunës, që kërkon të bëjë mocal jetën shoqërore të këtij vendi”, ka shtuar Rama.
Top Channel