
Pas rritjes së tensioneve, përplasjeve përpara godinës së KQZ-së, por dhe protestave në të gjithë Shqipërinë, zëdhënësi i Ministrisë greke të Jashtme, Grigoris Delavekuras ka shprehur shqetësimin e Athinës për situatën në Shqipëri.
Në një deklaratë të bërë pasditen e së enjtes bën apel për ulje të toneve dhe bashkëpunim me qëllim normalizimin e situatës.
I pyetur nga Top Channel lidhur me situatën post-zgjedhore dhe ngjarjet që po ndodhin në vendin tonë, Delavekuras nuk ngurroi ta cilësonte procesin zgjedhor të 8 majit si një ndër më të mirët e viteve të fundit në vendin tonë.
“Edhe pse u raportuan disa probleme të vogla, procesi në përgjithësi ka qenë i mirë, cka tregoi nivelin e lartë dhe qytetarinë e popullit shqiptar, si dhe aspiratat e tij për integrim në familjen auropiane”, tha ai.
Por përtej kësaj, ngjarjet e ndodhura dy ditët e fundit me numërimin e fletëve të votimit për bashkinë e Tiranës, kanë dëmtuar, sipas tij, të gjithë anën pozitive të këtyre zgjedhjeve.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke ftoi të gjitha palët e përfshira në proces që të qendrojnë në lartësinë e duhur dhe të tregojnë vetëpërmbajtje. Këto forca, tha ai, duhet të respektojnë votën dhe zgjedhjen që ka bërë shumica e votuesve.
“Në këto momente të veshtira, populli shqiptar ka nevojë për qetësi dhe prosperitet në rrugën e tij europiane, për të cilën do të gjejë padyshim në krah Greqinë, një aleat të fuqishëm që prej vitesh e ka ndihmuar Shqipërinë në aspiratat e saj euro-atlantike”, përfundon deklarata e Delavekuras.
Top Channel