KQZ vijon hapjen e kutive

19/05/2011 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar edhe sot numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara. (UPDATE)

Mbrëmë në përfundim të numërimit në orët e vona të darkës u morën për t’u shqyrtuar 23 kuti, por u hapën vetëm 22, sepse njëra rezultoi me probleme të kodeve të sigurisë.

Vlerësimi i votave në 22 kuti nxori 46 vota për kandidatin Basha dhe 15 kandidatin Rama. Sot deri në orën 14.15 ishin hapur 7 kuti, nga të cilat 5 vota ishin për Bashën dhe 4 për Ramën.

Në përfundim, duke llogaritur edhe rezultatin përfundimtar pas numërimit të kutisë së fundit te njësia 5, kandidati Basha kryeson aktualisht me 24 vota. Pritet që të vlerësohen akoma edhe 33 kuti. Edhe mbledhja e sotme është zhvilluar mes debatesh të forta për vlefshmërinë e kësaj procedure.

Sipas pakicës cdo rregullim i posacëm kërkon një akt normativ që miratohet nga KQZ me shumicë të cilësuar prej 5 votash. Kështu parashikohet në kodin zgjedhor. Për më tepër, akti i miratuar qoftë edhe vetëm në parim, nuk ka urdhërore.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në KQZ kanë kërkuar vazhdimisht gjatë ditës së sotme t’u jepet akti i zbardhur. Kryetari Ristani argmentoi se ajo është një vendimmarrje e ndërmjetme dhe pas vlerësimit të votave do të ketë një vendimmarrje të plotë.

Top Channel