
Komisioneri socialist në KQZ, Genc Gjoncaj ka akuzuar këtë institucion se, në shkelje të ligjeve dhe kompetencave po deformon rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit.
“KQZ po vazhdon të thellohet në vendimet e kundraligjshme. Po vijon shtimi i numrave në favor të Lulzim Bashës, me një procedurë joligjore”, ka deklaruar Gjoncaj.
Sipas tij, KQZ nuk mund të bëjë një gjë të tillë pasi Kodi Zgjedhor thotë se institucioni duhet t’i përmbahet numërimit të KZAZ-ve.
“KQZ në këtë fazë nuk mund të ndryshojë në tavolinë numrat dhe tabelat e numëruara nga grupet e numërimit. Procedura që po përdoret është një normë e re juridike që po dhunon Kodin Zgjedhor, në përfundim të procesit të numërimit, nga i cili pushteti nuk është i kënaqur”, ka pohuar Gjoncaj.
“KQZ po vepron sipas një modeli të PD. Ky proces jo vetëm që është një thyerje e ligjit, por edhe jo transparent, pasi përfaqësuesve të opozitës u mungon akti juridik i KQZ-së. KQZ nuk mund të veprojë dhe të ushtrojë kompetenca që ligji ia jep KZAZ-ve. Nuk mund të vlerësojë as fletët e votimit duke ndryshuar rezultatet e certifikuara. KQZ po fut duart në fletët e votimit, por nga nxitimi po tregon para shqiptarëve provat e një procesi të parapërgatitur nga ajo dhe PD”, ka vijuar ai.
Komisioneri socialist ka shtuar më tej se, ajo që bie në sy janë mospërputhja e numrit të fletëve me atë të votuesve dhe mospërputhja e kodeve të kutive me ato të vendosura nga komisionet e numërimit.
Top Channel