Brace: Berisha mashtron qytetarët

19/05/2011 20:30

Deputeti i PS, Erjon Brace i ka cilësuar si “gënjeshtra” deklaratat e bëra pak më parë nga kryeministri Berisha, se KQZ me numërimin e fletëve të kontestuara po vepron sipas ligjit.

Në një deklaratë për mediat, Brace ka paralajmëruar kryetarin e KQZ dhe komisionerët e mazhorancës për pasoja penale për këto veprime antiligjore.

“Shqiptarët dëgjuan kryeministrin si gënjeshtar dhe si një njeri me probleme të paqëndrueshme mendore. Sipas tij, KQZ po vepron si një KZAZ dhe është e legjitimuar me Kodin Zgjedhor. Gënjen, kjo nuk legjitimohet. Ajo që KQZ po bën, duke marrë atribute të padhëna nga ligji, është vepër penale dhe katër anëtarë të saj do të mbajnë përgjegjësi penale”, ka deklaruar Brace.

Sipas tij, kryeministri ka gënjyer edhe kur tha se nuk ka nen në Kodin Zgjedhor që konsideron fletët e votimit të pavlefshme.

“Gënjen. Neni 118 thotë: vlerësimi i votave fillon menjëherë pas numërimit. Hapet cdo fletë, bëhet vlerësimi me zë të lartë. Gjithashtu, neni në fjalë verifikon: pika A – nëse fleta ka të njëjtën madhësi dhe ngjyrë, në rast të kundër cilësohet e pavlefshme. Ajo që KQZ po bën në kundërshtim me këtë nen është vepër penale, për të cilën Ristani dhe 3 të tjerë janë kallëzuar penalisht dhe do mbajnë përgjegjësi penale”, ka pohuar Brace.

Ai ka theksuar se manipulimi po ndodh në një moment kur KZAZ-të kanë si detyrim të bëjnë vlerësimin dhe kur e kanë tabuluar atë.

“Kryeministri tha pak më parë se KQZ, në rolin e KZAZ po numëron, rinumëron dhe rivlerëson fletë votimi të panumëruara. Ai gënjen. KQZ autorizohet nga Kodi vetëm të bëjë shumatoren e rezultateve të tabuluara me vendime nga KZAZ-të e Tiranës. Detyrë kjo, e kryer në 10 KZAZ”, ka saktësuar Brace.

“Ato vota, që Berisha thotë se KQZ po i numëron, rinumëron e rivlerëson, janë vota që janë numëruar dhe vlerësuar si të pavlefshme nga cdo grup numërimi dhe cdo KZAZ respektive, që i ka administruar në tabelën përfundimtare. Ajo që KQZ po bën në këto momente është vepër penale”, ka shtuar Brace, duke paralajmëruar komisionerët e djathtë për përgjegjësi penale.

Top Channel