Berisha paralajmëron Ramën

19/05/2011 19:20

Në konferencën e tij të gjatë për shtyp, kryeministri Berisha i ka drejtuar një seri akuzash kryetarit të PS, Edi Rama dhe “lejtnantëve” të tij, se po përpiqen të ndalojnë sistemin elektoral.

Berisha i ka cilësuar si të papranueshme kërcënimet e bëra në adresë të kryetarit të KQZ-së dhe ka theksuar se ligji do veprojë me rreptësi ndaj kujtdo që e shkel atë.

“Kërcënoi fizikisht kryetarin e KQZ, bëri plane për të sulmuar dhe djegur selinë e KQZ me gjithë materialet. Unë jam sot para jush për t’ju garantuar se qeveria është një, ligji, ligji dhe vetëm ligji. Shteti ligjor dhe vetëm shteti ligjor. Garantoj se cdo dhunë do të ndeshet me të gjithë rreptësinë e ligjit”, ka deklaruar Berisha, i cili i ka drejtuar një mesazh direkt Ramës.

“Paralajmëroj zotin Rama dhe ata që për interesa të caktuara planifikojnë të pushtojnë KQZ-në. U rikujtoj se ai ligj që garanton liri dhe të drejtat e qytetarëve, garanton me të njëjtën siguri institucionet e vendit”, ka paralajmëruar Berisha, duke u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndërmarrin veprime “të verbëra” kundër institucioneve.

Më tej kryeministri ka komentuar edhe anulimin e vizitës së presidentit të KE, Jose Manuel Barroso në Tiranë, duke nënvizuar se ka qenë një vendim i Brukselit.

“Një vizitë e rëndësishme u shty. Lideri i Europës po u vinte shqiptarëve me mesazhet më miqësore. Vendimi i tij nuk u këshillua nga unë, Brukseli i mer vetë vendimet”, ka shtuar Berisha.

Top Channel