
Anullimi i vizitës në Shqipëri nga ana e presidentit të Komisionit Europian, Manuel Barroso, është parë si një sinjal i keq për Shqipërinë nga ana e gazetarit Agustin Paloka.
“Mosardhja e Barrosos, i cili ka qenë në të gjithë rajonin, tregon se mysafiri i nderuar nuk shkon në një familje ku familjarët zihen me njëri-tjetrin”, u shpreh Paloka në emisionin Top Story në Top Channel.
“Kjo është një shenjë e qartë se diçka nuk shkon sepse vizita të tilla planifikohen shumë kohë më parë dhe nuk anullohen për pak ditë. Ky është një paralajmërim i sanksioneve politike ndaj Shqipërisë. Nuk di raste të tjera si kjo. Ka pasur politika të mosvizitave në shtete të ndryshme të botës sepse autoritetet nuk duan të takohen me liderë të atjeshëm por asnjëherë me vende si Shqipëria që janë në procese integruese”, shtoi Paloka.
Paloka vazhdoi më tej: “Barroso ka evituar Shqipërinë në këtë kohë që të shikohet se BE nuk do të ndërhyjë në proces dhe të shikojë se si Shqipëria mund të zhvillojë një proces normal. Ka kaluar shumë kohë dhe nuk ka rezultat duke krijuar tension. BE-ja nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij tensioni.”
Më pas, Paloka renditi pasojat që mund të ketë Shqipëria nga problemet në procesin e numërimit të votave: “Marrja e statusit të kandidatit është si një test dhe zgjedhjet janë të rëndësishme. Shqipëria po i tregon Evropës se nuk është e interesuar për të kaluar këtë test. Raporti i BE-së nuk besoj se do të jetë pozitiv. Raporti i progresit do të ketë vërejtje të shumta. Ndryshe do të jetë për Serbinë që edhe pse ka strehuar kriminelë lufte është para nesh. Po ashtu edhe Kroacinë që në fundvitet ’90 ishte shumë prapa Shqipërisë dhe tashmë dihet se në vitin 2013 do të jetë pjesë e BE-së.”
Top Channel