Vota politike e 8 majit

18/05/2011 01:05

Në vijim  të debatit të tyre në Top Show, analistët dhe deputetët e ftuar në studio folën për votën politike të hedhur më 8 maj.

Politologu Blendi Çeka tha se vota politike ka patur tendencë ruajtje kryesisht në zonat e mëdha urbane, përfshirë edhe Tiranën, ndërsa në zonat e tjera ka patur luhatje mes votës politike dhe asaj për kandidatin e komunës apo bashkisë.

Për deputetin e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, vota politike e 8 majit konfirmoi qeverisjen e mirë të koalicionit Aleanca për Qytetarin. Sipas tij, kjo mazhorancë është në avantazh me mbi 140 mijë vota në krahasim me aleancën e opozitës, që konvertohet në rreth 14 mandate deputetësh.

Por deputeti socialist, Damian Gjiknuri tha se vota politike më 8 maj nuk është domethënënese pasi ka trafik votash për tek partitë e vogla, kryesisht në zonat rurale. Megjithatë, tha ai, shihet një tendencë në rritje për mazhorancën dhe shtoi se në kuadër të analizimit të 8 majit, PS duhet të rishikoje politikën e ndjekur me aleancat.

Edhe për analistin e ftuar në studio, Mentor Nazarko, vota politike e 8 majit nuk është domethënëse, pasi sipas tij, ka patur trafik votash nga partitë e mëdha tek aleatët e vegjël.

Top Channel