
Të premten, në 20 maj, presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso mbërrin në Tiranë, i shoqëruar nga komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi shënon takimin e parë në axhendën e zyrtarëve të lartë europiane. Më pas takimet vijojnë me kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama.
E vetmja konferencë për shtyp është parashikuar nga kabineti Barroso rreth orës 16 e 40, menjëherë pas takimit me shefin e qeverisë Berisha.
Pasdite, kreu i Komisionit Europian do t’i drejtohet deputetëve shqiptarë në fjalimin që do të mbajë enkas në sallën e Kuvendit.
Nisur nga situata e krijuar që pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009, por dhe zhvillimet e fundit pas 8 majit, presidenti i Komisionit Europian do të bëjë thirrje për bashkepunim ndaj të gjitha forcave politike në Kuvend.
“Barroso do të kërkojë nga aktorët politike që të punojnë pa pengesa mbi reformat e domosdoshme dhe sfidat e vendit, që t’i japin fund ngërcit të tejzgjatur, të krijojnë një mjedis politik gjithpërfshirës, ku palët ndajnë bashkarisht prioritetin e integrimit të Shqipërisë në BE”, rrëfyen për TCH burime pranë kabinetit Barroso.
Në darkë, zyrtarët e lartë të BE-së largohen nga Tirana duke mbyllur kështu turin ballkanik që nis me Kosovën e Serbinë, dy vende këto që sipas Komisionit kushtëzojnë njëra-tjetrën për integrimin e mëtejshëm europian.
“Presidenti Barroso thekson se i takon popujve dhe liderëve të rajonit të shpejtojnë ritmin dhe kohën e së ardhmes së tyre europiane. Presidenti inkurajon partnerët tanë në Kosovë të shpejtojnë reformat dhe të përballen me sfidat dhe kushtet e sotme me rigorozitet të rifreskuar”, ka deklaruar Pia Hansen, zëdhënëse e Komisionit Europian.
“Në mënyrë që Serbia të hyjë në BE, ajo duhet të normalizojë marredhëniet e saj më Kosovën. Në kriteret politike të Kopenhagenit ju keni konceptin e bashkëpunimit rajonal, i cili, njësoj për të gjitha vendet kandidate dhe potencialisht-kandidatë, është një kriter i qartë politik që Komisioni dhe BE e ndjekin. Është e rëndësishme që të gjitha vendet të normalizojnë mardhëniet e tyre me fqinjët pasi në fund të fundit do të ulen në të njëjtën tryezë pasi të jenë futur në BE. Pra, është shumë e qartë se ky është rasti edhe me Serbinë”, ka thënë zëdhënësja tjetër Natasha Butler.
Në Bruksel u mbajt dhe takimi radhës i dialogut Prishtinë-Beograd, ku palët kanë diskutuar dhe cështjen e personave të pagjetur apo të humbur gjatë luftës, por, ashtu si dhe në raundet paraardhëse, nuk u arrit një marrëveshje.
Top Channel