Vendimi i Ristanit, tension në KQZ

17/05/2011 23:15

Mëngjesi i të martës ka shënuar një zhvillim të papritur për rezultatin e Bashkisë së Tiranës kur  kryetari  KQZ-s Arben Ristani tha se KQZ duhet t’i japë zgjidhje cëshjes së fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara.(UPDATE)

Argumenti ngjalli debat në sallë duke shtuar interesin e deputevë socialist që po e ndiqnin mbledhjen nëpërmjet ekraneve të televizorit  deri ato momente:

“Këto kërkesa të ardhura nga shumë KZAZ duhet të marrin një zgjidhje nga KQZ që në këtë rast funksionon edhe si KZAZ”, tha Ristani.

“Cështja është e përfunduar, zoti kryetar certifiko rezultatin e Tiranës”, kundërshtoi përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjoncaj.

“KQZ është në rolin e KZAZ, nuk është në rolin e certifikimit të rezultatit”, replikoi përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti.

Gjatë mbadites KQZ është përfshirë në një situatë e tensionuar, kur  pritej të dikutohej një projektvendim ku parashikohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’ua shpërndajë fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara kandidatëve që u përkasin. Një vendim që dukej se binte ndesh edhe me kërkesën e ambasadorëve të huaj për certifikimin e rezultatit, dhe pastaj dhënien udhë të procesit të ankesave.

Një grup deputetësh socialistë kanë mbërritur rreth orës 14:30 minuta për të ndjekur mbledhjen, veprim bazuar në nenin 22 të Kodit Zgjedhor paragrafi 7 që thotë se mbledhjet e KQZ-s janë kurdoherë publike.

Deri këtu gjithcka në rregull. Por prania e tyre në salle dhe pretendimet për zënien  e karriges së përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti janë kthyer në mollën e sherrit mes tyre dhe zotit Ristani.

Kryetari Kqz-s përballë kësaj situate të krijuar ka preferuar të largohet nga mbledhja duke e ndërprerë atë. Ndërsa deputetët socialistë kanë vazhduar të qëndrojnë në sallë duke kërkuar nga KQZ të zbatojë ligjin dhe të certifikojë rezultatin, zëdhënësi KQZ i ka cilësuar ata si zaptues.

“KQZ i gjendur në hapësirat dhe kushtet kur ambientet vazhdojnë të mbeten të uzurpuara nga deputetët e Partisë Socialiste, cka e bën të pamundur vendimmarrjen dhe aktivitetin normal, vendosi që: të thërrasë punonjësit e Policisë së Shtetit për të rivendosur rendin dhe qetësinë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të KQZ-së për të garantuar funksionimin normal të aktivitetit të KQZ të përcaktuar me ligj”, tha zëdhënësi KQZ-së.

Përballë insistimit të deputetëve për të qëndruar në sallën e mbledhjeve plenare të KQZ-s atyre i është komunikuar një vendim nga zoti Alfred Spahiu drejtor i Komisioneve Zgjedhore në KQZ.

“KQZ ka marrë nje vendim për të kërkuar ndihmën e punonjësve të Policisë së Shtetit për të vendosur rendin dhe qetësinë brenda ambienteve të KQZ-së. Sipas këtij vendimi në sallën e mbledhjeve të KQZ do të jenë të pranishëm anëtarët e KQZ, përfaqësuesit ligjorë të partive politike, vëzhguesit e akredituar, përfaqësuesit e medias dhe stafi KQZ-së”, tha drejtori Alfred Spahia.

Ky komunikim ndodhi në prezencën e zëvëndësdrejtorit të policisë së Tiranës i cili ishte i shoqëruar më një togë e policës që e kanë shfrytëzuar këtë moment për të numëruar dhe parë pozicionimin e deputetëve në sallë.

Ndërkohë numri efektivëve të policisë jashtë KQZ u shtua. Po ashtu edhe numri qytetarëve kureshtarë duke qëndruar në bordurat e stadiumit Qemal Stafa.

Në orën 20:10 deputetët kanë vendosur të largohen. Erion Brace sqaroi këtë vendimarrje.

“Përsa kohë KQZ-ja nuk po mblidhet dhe do të mblidhet nesër, ne do të jemi këtu edhe nesër për të asistuar në një mbledhje të rregullt të KQZ-së dhe do të marrim pjesë në atë mbledhje ku duhet të dalë ajo që shqiptarët kanë parë, fitorja e Edi Ramës. Bashkë me ne nesër do të jete çdo shqiptar që do të vijë këtu duke filluar nga ora 9 e mëngjesit që edhe ata të ndjekin këtë mbledhje të hapur të KQZ-së. I bëjmë thirrje çdo shqiptari të ndershëm që të paraqitet kështu bashkë me ne nga ora 09-09:30 për të asistuar në këtë mbledhje të KQZ-së”, theksoi Braçe.

Me largimin e deputetëve dhe medias në godinën e KQZ u fikën dritat duke i rikthyer qetësinë, një qetësi që duket se do të zgjasë deri mëngjesin e së mërkurës kur do të rifillojë puna. Me apo pa praninë e deputëve kjo mbetet për t’u parë.

Top Channel