Zgjedhjet, TCH fiton betejën mediatike

16/05/2011 21:10

Audienca shumë e lartë e teleshikuesve nga 8 maji, ditë e zgjedhjeve vendore, deri më 14 maj, kur përfundoi procesi i numërimit në Tiranë, dëshmoi një tjetër fitore të Top Channel në betejën mediatike të raportimit.

Informacione të detajuara dhe numërimi i cdo vote u pasqyrua në kohë reale në ekranin e televizionit tonë dhe në faqen zyrtare të internetit.

Kjo e fundit shënoi të tjera rekorde, si shifra prej 1.250.385 vizitorësh vetëm në 5 ditë, me një qëndrim mesatar prej 12 minuta e 57 sekondash.

Por si u organizua e gjithë kjo sipërmarrje? Një plan i detajuar u hartua nga drejtori i informacionit Bledar Zaganjori, që me ndihmën e drejtorit teknik Redi Neziri krijuan një rrjet lidhjesh direkte në të gjithë vendin, përmes teknologjisë më të re e të përparuar.

Studio e posacme u realizua për emsionin “Shqipëria vendos”, të drejtuar nga gazetari Sokol Balla. Gazetarëve iu caktuan qendrat e votimeve që do të mbulonin, të shoqëruar nga operatorët e teknikët e lidhjeve direkte.

Grupet e xhirimit, të caktuara për të mbuluar garën në të gjitha qarqet e vendit, u nisën një ditë përpara zgjedhjeve për të qenë gati të nesërmen, që në momentin e parë të hapjes së pikave të votimeve.

Gazetarët që mbuluan Tiranën nisën raportimet në lidhje direkte në orën 7 të mëngjesit, kohë kur nisi procesi i votimit, ndërkohë që të tjerë në redaksi koordinonin punën.

Një zinxhir i gjatë lidhjesh dhe raportimesh direkt, që do të nisnin të dielën në mëngjes dhe do të mbylleshin kur të numërohej edhe vota e fundit kudo në Shqipëri.

Në 24 orë gazetarët në terren qëndruan pranë cdo qendre ku u zhvillua procesi i numërimit, si në Shkodër, Lezhë, Kukës, Peshkopi, Burrel, Durrës, Elbasan, Korcë, Fier, Lushnje, Vlorë, Berat, Gjirokastër e Tiranë, ku në KZAZ të caktuara të kryqeytetit, procesi rezultoi vërtet i gjatë dhe i lodhshëm.

Gjithcka u raportua live në emisionin “Shqipëria vendos”, i cili ka zgjatur cdo ditë deri në orët e para të mëngjesit. Përpos raportimeve në emision, rrëfimi i rezultateve u bë nëpërmjet grafikave, që përditësoheshin në kohë reale nga informacionet e gazetarëve në terren, të cilët i merrnin të dhënat nga procesverbalet zyrtare të KZAZ-ve.

Llogaritja e të dhënave kryhej me vëmendje maksimale nga të tjerë gazetarë në studio, duke korrigjuar madje edhe një rezulat të KQZ-së. Ndërkohë, gjithcka komentohej nga analistët e ftuar.

Të tjera lidhje direkte e raportime u bënë në edicionet informative. Sa i përket punës në terren, përpos vështirësive të orëve të tejzgjatura të procesit të numërimit, u shënuan edhe incidente.

Gazetari Marin Mema dhe operatori Eno Cucllari u sulmuan nga disa persona teksa filmonin jashtë ambjenteve të njësisë nr.2, pas sinjalizimit se qarkullonin karta identiteti false.

Cdo raportim u përcoll me shpejtësi, saktësi e paanshmëri, me përpjekjen për të bërë sa më mirë e me ndershmëri detyrën e informacionit për cdonjërin prej teleshikuesve të Top Channel, të cilësdo bindjeje politike.

Top Channel edhe këtë radhe e fitoi betejën e tij me audiencën, duke i dhënë publikut atë që ai kërkonte: informacion të shpejtë dhe të saktë, në një maratonë të gjatë zgjedhore si asnjë herë tjetër më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA