Njësia 5, në KQZ pa firmën e PD-së

16/05/2011 15:00

Që prej orës 10 të ditës së djeshme, anëtarët e KZAZ-së nr 49 kanë patur një sërë mosmarrëveshjesh për firmosjen e tabelës përmbledhëse të procesverbaleve që kanë dalë pas numërimit të votave për kryetar bashkie.

Katër anëtarët e Partisë Demokratike, që përbëjnë edhe shumicën, kundërshtuan firmosjen e tabelës, pasi sipas tyre në një procesverbal ka lapsuse në drejtshkrim.

Gjatë paradites së sotme, situata ishte e pandryshuar duke bllokuar procesin e numërimit të kutive për minibashkinë.

Mosmarrëveshjet për tabelën përfundimtare do të mbërrijnë në KQZ bashkangjitur me një procesverbal ku janë shënuar të gjitha vërejtjet e shumicës në këtë KZAZ.

“Procedohet kështu, s’është më në kompetencat e KZAZ-së por të KQZ-së. Është marrë një vendim për tabelat, kështu që kalon tek KQZ-ja. Ne përcjellim dokumentacionin dhe KQZ vendos”, deklaroi Blerina Gjylameti.

Gazetarët fillimisht janë ndaluar të raportojnë nga kjo KZAZ, duke iu refuzuar hyrja nga policët e shërbimit.

“Ka një vendim të KZAZ-së që të mos futeni. Nuk e di motivin, ne marrim vetëm urdhëra”, tha oficeri përgjegjës i policisë.

Është dashur edhe kësaj here ndërhyrja e disa vëzhguesve ndërkombëtarë që gazetarët, me urdhër të kryetarit të KZAZ-së të lejohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA