“Fletët në kuti tjetër, të pavlefshme”

15/05/2011 19:35

Edi Rama është shpallur fitues i zgjedhjeve lokale 2011, por kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kërkuar që të pritet ende verdikti zyrtar nga Komisioni Qendror Zgjedhor për shpalljen e kandidatit fitues të Bashkisë së Tiranës.

Diskutimet nëse duhet ose jo të merren parasysh fletët e pavlefshme, të cilat edhe mund të ndryshojnë rezultatin final janë kthyer në qender të vëmendjes.

Por përtej diskutimeve dhe qendrimeve të palëve qendron ligji i cili duhet të zbatohet nga anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Një rast i tillë është përsëritur edhe  para 4 vitesh, pikërisht në zgjedhjet e vitit 2007, kur Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar një projekt-udhëzim në KQZ ku kërkohej që fletët e votimit të hedhura gabimisht jo në kutinë e duhur, të konsideroheshin të vlefshme.

Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi që për këtë rast të zbatojë dispozitat e Kodit Zgjedhor të përcaktuara në nenin 106, ku thuhet se fletët e votimit do të konsiderohen të kontestuara ose të pavlefshme sipas rastit.

Kryetari i KQZ në vitin 2007 Clirim Gjata ka deklaruar në atë kohë  se kur numërohet një kuti votimi, rezultati i dalë që aty pasqyrohet në tabelën përkatëse, dhe ky rezultat nuk mund të ndryshojë më.

Ndërsa anëtari i KQZ, Klement Zguri ka thënë se për një rast të tillë nëse do të vendoset që fletët e votimit të gjetura jo në kutinë e duhur, të konsiderohen të vlefshme, kjo mund të krijojë shumë pështjellim dhe konflikt.

Zguri shtoi se fleta e votimit, e gjetur në kutinë e gabuar, duhet të konsiderohet e pavlefshme, pasi gabimet gjatë votimit mund të jenë të gjithanshme dhe procedurat që ndiqen janë të përcaktuara në ligj.

Top Channel