Nuk kanë të sosur sulmet raciste në Greqi. Pas akteve ekstreme të dhunës ndaj emigrantëve të shënuara në kryeqytetin grek, një tjetër ngjarje e rëndë ka shokuar opinionin grek.

Dy emigrantë shqiptarë janë rrahur barbarisht në Rethymno të Kretës. Shqiptarët, emrat e të cilëve për momentin nuk bëhen publike, janë dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e këtij qyteti, si pasojë e rrahjes prej 5 shtetasve grekë.

Njëri prej tyre ka dëmtime tepër të rënda dhe u mbajt në spital, ndërsa tjetri ishte në gjendje pak më të mirë dhe kërkoi të kurohej në shtëpinë e tij.

Burime lokale thanë se ngjarja ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit.

Dy shqiptarët po hipnin në makinën e tyre, kur janë sulmuar pa shkak nga grupi i grekëve, që u bërtisnin të largohen.

Ju jeni të huaj dhe Greqia është e grekëve, citohet të kenë thënë ata. Pas kësaj, agresorët i kanë qëlluar shqiptarët barbarisht me shkopinj e mjete të forta.

Arsyeja e sulmit ka në sfond ksneofobinë, pasi personat e konfrontuar nuk njiheshin mes tyre.

Policia ka nisur hetimet lidhur me ngjarjen, por deri tani nuk ka asnjë të dyshuar.

Situata e rendit kohët e fundit ka qenë tepër problematike në qytetet kryesore të Greqisë.

Gjendja paraqitet më e rëndë në kryeqendrën Athinë, ku si pasojë e kriminalitetit të lartë është rritur ndjeshëm pasiguria mes qytetarëve.

Lidhur me këtë, ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit ka vënë në alarm të kuq të gjitha forcat policore në kryeqytet dhe ka kërkuar përforcime edhe prej qyteteve periferike, ndërsa u ka bërë thirrje banorëve të ruajnë qetësinë e të mos arrijnë në vetëgjyqësi, por të njoftojnë policinë për çdo rast.

Top Channel