Woody Allen hap festivalin e Kanës

11/05/2011 21:40

Festivali i Kanës ka nisur me projeksionin e filmit të Woody Allen “Mesnatë në Paris”, i cili u prit mes duartrokitjeve.

Një përrallë romantike, siç e kanë komentuar mediat e huaja, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Parisin e viteve ’20, ku interpretojnë Rachel McAdams, Oëen Ëilson dhe në një rol sekondar Carla Bruni.

Premier dame e Francës nuk do të marrë pjesë në Festival për shkak të impenjimeve private dhe profesionale.

Ndërkohë yje të kinematografisë do të shkelin në tapetin e kuq, si Brad Pitt dhe Sean Penn, protagoniste të filmit “Pema e jetës” i regjisorit Terence Malik.

Të tjerë emra të njohur: Johnny Depp, Angelina Jolie, Penelope Cruz e shumë të tjerë.

Në projeksion zyrtar janë 54 filmat që do të shfaqen. 20 prej tyre janë në kompeticion për Palmën e Artë.

Ndër regjisorët në konkurim renditen Nanni Moretti, Pedro Almodovar, Aki Kaurismaki, Lars Von Trier e Paolo Sorrentino.

Çmimet do të ndahen brenda 22 majit. Kryetari i jurisë: Robert De Niro. Pjesetarë të saj, mes të tjerësh Uma Thurman dhe Jude Laë.

Palma e Artë për karrierën është vendosur që t’i jepet regjisorit italian Bernardo Bertolucci, çmim që për herë të parë do të jepet në fillim të Festivalit.

Homazh do t’i bëhet regjisorit George Melies, me filmin e tij fantashkencë “Udhëtim në hënë”, i vitit 1902.

Një kujtim i veçantë do t’u dedikohet regjisorëve viktima që në vendet e tyre janë shtypur nga regjimi.

Për këtë rast do të shfaqen filmat e iranianëve Jafar Panahi dhe Mohammad Rasoulof, të dy të dënuar me 6 vjet burg.

Një pritshmëri të lartë ka për dokumentarin “Vrasje e paligjshme”, realizuar nga aktori Keith Allen, i cili bën një rindërtim të incidentit ku humbi jetën Lady Diana dhe Dodi Al Fayed.

Në këtë film shfaqen foto të Princeshës së Ëellsit në momentet e fundit të jetës.

Dokumentari do të shfaqet në të gjithë botën, përveç Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas mediave të huaja, babai i Dodi Al Fayed është përpjekur që t’i bllokojë fotot.

Një tjetër dokumentar i pritur është ai që trajton ngritjen në fuqi të presidentit Sarkozy, i titulluar “Triumfi” i Patrick Rotman.

Ndërkohë çështja e sigurisë gjatë festivalit mbetet në vigjilencë të lartë pas vrasjes së Osama Bin Laden.

Policia franceze po monitoron gjithçka. Mes një programi të pasur dhe yjeve shkëlqyese, duket se suksesi do të vazhdojë të shoqërojë edhe këtë edicion të 64-t të Festivalit të Kanës.

Top Channel