Në një zonë të thellë të fshatit Zhilivod, në komunën e Vushtrisë, ka kohë që dyshohet për një varr masiv.

Ekspertëve të EULEX-it pranë Departamentit të Mjekësisë Ligjore pohojnë se në këtë gropë dyshohet të jenë varrosur të rreth 26 persona të komunitetit serb.

“Në këtë zonë kemi filluar të gjurmojmë dhe kemi vlerësuar se mund të ketë mbetje mortore të varrosura gjatë kohës së konfliktit në Kosovë. Informatat që posedojmë na shtyjnë që të besojmë se janë diku rreth 20-25 individë”, deklaron eksperti Alan Robinson.

Zyrtarët e EULEX-it bëjnë të ditur se, gjurmimet parashikohet të zgjasin rreth 4 muaj. Arsyeja e kësaj vonese po shkaktohet edhe nga shpronësimi i kësaj zone nga shteti. Ndërkohë që pronarët e tokave po kundërshtojnë fillimin e punës pa marrë kompensimin e pronës.

“Sa i përket edhe zonave të tjera në Kosovë, ne jemi duke punuar në tërë rajonin. Janë së paku 30 zona që do të kishim pasur dëshirë që t’i shohim. Natyrisht se ne nuk mund të garantojmë se ka mbetje mortore aty, por ne gjithësesi do t’i vlerësojmë ato dhe kjo natyrisht është vetëm një nismë e vogël e gjithë asaj pune që duhet bërë. Ne mbështetemi në informata të sakata publike, të dëshmitarëve, nga të gjitha burimet e ndryshme”, nënvizon Robinson.

Dyshimi se në këtë zonë mund të ketë ndonjë varr masiv kishin nisur që në muajin gusht të vitit 2008. Nga dhjetori i vitit 2008 ekspertët e EULEX-it, së bashku me Departamentin e Mjekësisë Ligjore, kanë kryer rreth 270 operacione në terren, ndërkohë që deri me tani janë gjetur më shumë se 135 persona të zhdukur.

Përveç, EULEX-it, operacioni po kryhet në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës. Megjithëse mediat ishin ftuar për ta ndjekur këtë ngjarje, një zyrtare e policisë disa herë pengoi mediat në punën e tyre. Arsyetimi i saj ishte se, ekipet e xhirimit nuk kishin të drejtë të filmonin në këtë zonë megjithëse ishin ftuar për këtëpunë.

Top Channel