Greqia është përfshirë sërish nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe.

Për një ditë, sektori publik dhe ai shtetëror nuk do të funksionojnë. Sindikatat e punonjësve portualë dhe kontrollorëve të aviacionit civil, i janë bashkuar protestave duke paralizuar për rrjedhojë transportin detar dhe atë ajror.

Në grevë do të hyjnë dhe gazetarët. Përgjatë 24 orëve, nuk do të transmetohet asnjë edicion lajmesh. Sindikalistët sqarojnë se arsyeja e një aksioni të tillë janë politikat shtrënguese ekonomike të kabinetit Papandreu, që siç thonë ata, i kanë rrënuar ekonomikisht.

Masat e qeverisë për grevistët nuk janë efektive dhe nuk po e shpëtojnë vendin prej falimentimit ekonomik. Mijëra vetë u mblodhën në protestë në sheshet Areos dhe Omonia të kryeqytetit grek për të vazhduar prej aty rrugën drejt parlamentit, ku do të kërkojne zbutjen e reformave ekonomike.

E ndërsa sindikatat protestojnë në rrugët e Athinës, qeveria kërkon me ngulm një rrugë shpëtimi për vendin. Greqia rrezikohet të marrë këstin e pestë të ndihmës që i është akorduar prej FMN-së, ndërsa organizmat e vlerësimit ekonomik, Modys dhe Fits, kërcënojnë të zhvlerësojnë bankat greke, çka i jep një tjetër goditje të rëndë ekonomisë.  

Në një tentativë të fundit për të dalë nga kjo situatë, kryeministri Jorgos Papandreu ka nisur të kontaktojë me liderë europianë. Gjatë një bisede telefonike me kancelaren Angela Merkel, Papandreu kërkoi ndihmën e Gjermanisë dhe së shpejti pritet të fillojë një tur takimesh me liderë të vendeve të Europës Perëndimore.

Top Channel