Për Athinën, nuk ka qetësi. Agjencia e vlerësimit të riskut të kredisë Standard&Poor’s e uli besueshmërinë e saj, duke e çuar në nivelet e konsideruara “ndër më të fundit”.

Një zhvlerësim tjetër i këtij lloji do ta radhisë atë si vendin më pak të besueshëm në Europë.

Greqia, një nga tre vendet që kanë marrë hua emergjente nga Bashkimi Evropian vitin e kaluar për t’i bërë ballë niveleve të larta të borxhit, është goditur rëndë nga ngadalësimi ekonomik, kostoja e huave dhe rënia e të ardhurave nga taksat.

Ulja në renditjen e vlerësimit të kredive e detyron Athinën të paguajë interes më të lartë për huatë e nevojshme për të rifinancuar borxhet e vjetra dhe për të mbuluar shpenzime të reja.

Standard&Poor`s nuk e përjashtuan mundësinë e një tjetër zhvlerësimi të Greqisë muajt e ardhshëm.

Qeveria greke reagoi ashpër duke e cilësuar krejtësisht të pajustifikuar klasifikimin e mbërritur, sipas saj, në një kohë kur vendi nuk ka patur zhvillime të reja negative.

Të tilla vendime, sipas zyrtarëve grekë, duhen mbështetur në të dhëna objektive, në vlerësime realiste të kushteve ekonomike dhe jo në thashetheme tregu e artikuj shtypi.

Standard&Poor’s nuk ka kursyer as Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.

Agjencia e uli besueshmërinë për marrjen me kredi të këtyre vendeve nga “të qendrueshme” në “negative”.

Sado që diçka e tillë dukej e paimagjinueshme për ekonomitë më të mëdha botërore, vendimi nuk ka qenë dhe aq i papritur.

Defiçiti buxhetor i SHBA-ve ka arritur një nivel rekord, duke u llogaritur aktualisht në më shumë se 10 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Top Channel