Të prekurit nga HIV

07/05/2011 16:50

25 persona janë identifikuar në vendin tonë këtë vit të prekur nga virusi HIV, duke e çuar numrin total në 430. Shifrat janë të ulëta në krahasim me vendet e tjera, por specialistët shprehen të shqetësuar pasi vetëm 5% e popullatës kryen këtë analizë.

Mjekët thonë se nëse gratë e prekura nga HIV do ta dinin këtë, do të kishin mundësi që ta shmangnin lindjen e fëmijëve të infektuar.

“Vetëm 5% e grave shtatzëna testohen për HIV. Të testuarit dhe marrja e masave të duhura e çon rrezikun e transmetimit nga nëna tek fëmija pothuajse 0”, shprehet mjeku Roland Bani.

Por të rinjtë janë edhe me të rrezikuar nga ky virus dhe përgjithësisht nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. 16% e të rinjve në moshën 16 deri 18 vjeç kryejnë marrëdhënie seksuale pa masa mbrojtëse.

“Marrja e masave mbrojtëse, kondomi, është shumë i rëndësishëm pasi ndalon edhe transmetimin e sëmundjeve të tjera dhe vetëm 6% e të intervistuarve kanë deklaruar se e përdorin atë”, deklaroi Bani.

Të sëmurët me HIV-AIDS diagnostikohen me vonesë, çka bën që kurimi i tyre të jetë i vështirë.

Top Channel